×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Vendimi i dyshimtë-Milionerët e “Eurokos” përfitojnë nga dhëndri i tyre në bordin e OSHP-së

    Insajderi
    28 April 2023 - 18:17

    Një konzorcium kompanisë që për pronarë kanë familjarë mes vet kanë përfituar hise nga tenderi 30 milionësh i Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen e rrugëve, por kjo pas një vendimi të OSHP-së. Një anëtarë i Bord të këtij institucioni është në lidhje familjare me ta. Lidhjen mes tyre e kanë konfirmuar për Insajderin edhe në OShP, por kanë komentuar që nuk besojnë që është konflikt interesi

    Gazeta Insajderi

    Tenderi milionësh për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale të vendit, për verës e dimrit, deri në vitin 2025 ishte shoqëruar me shumë ankesa. Në këtë tender të Ministrisë së Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu, ndryshime se kush do të shpërblehet e kush jo, ka bërë edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

    Në mesin e ankesave që kishte refuzuar OSHP-ja, ishte edhe një ankesë voluminoze e shoqëruar edhe me prova, e një konzorciumi të kryesuar nga kompania “Via Egnatia”, por mori vendim në favor të konzorciumit të firmave “Eurokos”, “VIA SHPK” dhe “Kosova Asfalt”.

    Një hulumtim i gazetës Insajderi ka zbuluar lidhje familjare mes pronarëve të “Eurokos” dhe anëtarit të Bordit të OSHP-së, Vedat Poterqoi.

    Vendimi i OSHP-së që favorizoi ketë konzorcium të firmave që lidhen me “Eurokos”-in ishte publikuar më 30 mars 2023. Emërtimi që i dha këtij tenderi Ministria e Infrastrukturës është Mirëmbajtja verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2022/ 2023, 2023/2024 dhe 2024/2025, për Lot Prishtina-1,Lot 3 Prishtina 3, Lot 13 Gjilani 2, Lot 6 Peja 1”.

    Falsifikime. Fatura fiktive. Dokumente të dyshimta. Ishin këto disa prej pretendimeve që kompanitë që patën deponuar ankesa kundër këtij tenderi afro 30 milionësh të Ministrisë së Aliut.

    Ankesat, që janë edhe publike, ndër të tjera përmendnin edhe shkelje të bëra nga vet konzorcoimu që OSHP-ja e favorizoi me vendim, “VIA SH.P.K.; EUROKOS HOLDING SH.P.K.; A.L-ASFALT shpk; DioBes SH.P.K.; EUROTITAN SH.P.K.”, e që pronarët janë kryesisht familjarë mes vete.

    VIA SH.P.K.është kompani në pronësi të Drilon Shamollit, kurse EUROKOS HOLDING SH.P.K. është në pronësi të Ylber Shamollit, dhe po e njëjta është e regjistruar si firmë edhe në Shqipëri, derisa i njëjti ka në pronësi edhe firma të tjera në Kosovë, përfshirë edhe aksione në një hidrocentral.

    Dhëndër i familjes, por nuk ndikoi në vendim- sqarimi që jep OSHP-ja

    Lidhjen familjare mes tyre dhe anëtarit të Bordit të OSHP-së, në një përgjigje për Insajderin, e kanë konfirmuar edhe ky institucion.

    “Pronaret e kompanive “Eurokos” dhe “VIA SHPK”, janë kushërinj të bashkëshortes se z. Poterqoi”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për Gazetën Insajderi.

    Por, sipas OSHP-së, “shkallët e lidhjeve të gjakut lidhja e pronarëve të kompanisë së cekur dhe anëtarit të panelit shqyrtues të OSHP-së, konsiderohet si lidhje e shkallës së katërt, andaj e njëjta nuk përbënë ndonjë konflikt interesi sipas ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”.

    Në përgjigjen për Gazetën Insajderi, OSHP deklaron se sipas tyre,  “Poterqoi ka deklaruar se deri te vendim marrja e lartcekur është arritur në përbërje të paneleve si dhe se ka dhënë kontributin profesional duke deklaruar publikisht se nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje apo ndikimi nga jashtë për të dhënë mendimin me bindje të plotë, të pavarur dhe duke u bazuar në përpikëri në dispozitat ligjore për prokurimin publik”.

    Edhe pse anëtari i Bordit të OSHP-së, institucionit që mori vendim që favorizoi “Eurokos”-in, është në lidhje familjare me pronarët e kësaj firme, në këtë institucion deklarojnë se nuk ka pasur ndikim në këtë vendim.

    “Paneli shqyrtues i OSHP-së, merr vendime konform provave të dokumentacionit të lëndës, fakteve të ofruara nga palët dhe mendimit të dhënë nga eksperti shqyrtues, andaj në rastin konkret pas dëgjimit të palëve, paneli shqyrtues ka konsideruar se kompania e cekur nga ju, ka ofertuar konform kërkesave të dosjes së tenderit dhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me asnjë ndikim të paligjshëm nga asnjë anëtar i panelit shqyrtues”, thuhet në përgjigjen e OShP-së për gazetën Insajderi.

    Pa vërtetim Gjyqi e me dëshmi mashtruese, pretendimet e ankuesit në OSHP

    Në këtë tenderin milionësh të Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen e rrugëve deri në vitin 2025 pas vendimit të OSHP-së përfitoi edhe konzorciumi i kompanive që pronarët janë kryesisht familjarë mes vete, të renditura si “VIA SH.P.K.; EUROKOS HOLDING SH.P.K.; A.L-ASFALT shpk; DioBes SH.P.K.; EUROTITAN SH.P.K.”.

    “Ylli Shamolli në cilësinë e personit të autorizuar të EUROKOS HOLDING SH.P.K. nuk ka ofruar fare vërtetimin nga Gjykata që nuk është i dënuar në 10 vjeteshin e fundit”, thuhet në ankesën e deponuar po në OSHP dhe ku bëhet me dije se në këtë konzorcum edhe dy persona të tjerë që është dashur ta dorëzojnë këtë dëshmi, Astrit Varakun e Luan Mema që janë si persona ë autorizuar dhe bashkëpronarë te AL ASFALT, nuk e kanë bërë këtë.

    Kompania ankuese tutje pretendon që ky grup kompanisë u shpërblyen ani pse menaxheri i projektit që u caktua nga ta për këtë tender ka dëshmi, siç thuhet në dokument “janë fiktive dhe me të dhëna të rrejshme e mashtruese”.

    “E themi këtë sepse tek referenca e lëshuar nga kompania NTP EUROKOS SHPK për projektet e renditura nga 1 deri në 11, tre prej tyre( 1, 2 dhe 7) janë projekte ndërtimore që nuk munden të konsiderohen projekte të natyrës së njëjtë sipas kërkesës së AK-së (Ministrisë së Infrastrukturës)”, thuhet në këtë dokument.

    Aty janë përmendur një seri dokumentesh që sipas kompanisë ankuese duhet të verifikohen, pasi që do ta zbuloi se projektet që u morën si referencë janë vet brenda Ministrisë së Infrastrukturës e do të iu del që menaxheri që paraqiti ky grumbull kompanish në fakt nuk ka punuar në ato projekte fare.

    VIA SH.P.K.është kompani në pronësi të Drilon Shamollit, që për aktivitet primar ka “aktivitetet e inxhinierisë dhe këshillimit teknik”, i cili po ashtu ka në pronësi firmën me emër të njëjtë të regjistriar edhe në Republikën e Shqipërisë.

    EUROKOS HOLDING SH.P.K.është në pronësi të Ylber Shamollit, dhe po e njëjta është e regjistruar si firmë edhe në Shqipëri, derisa i njëjti ka në pronësi edhe firma të tjera në Kosovë, përfshirë edhe aksione në një hidrocentral.

    Firma e tretë në këtë grumbull kompanish del të jetë ajo A.L-ASFALT që në regjistrin e hapur të bizneseve në Shqipëri është në pronësi të biznesmenëve Astrit Varaku e Luan Mema.

    DioBes SH.P.K.është themeluar në vitin 2020 dhe është në pronësi të Xhelal Shabanit.Firma e fundit në këtë grup fitues është EUROTITAN SH.P.K. në pronësi të Ardit Shamollit.

    Insajdri para se të raportonte për këto pretendime, kishte dërguar pyetje te këto kompani por nga ta nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Edhe Ministria e Infrastrukturës ishte mbajtur e informuar për dërgimin e këtyre pyetjeve, por as ata patën komentuar.

    Në ankesë disa faqe radhazi i janë kushtuar edhe analizimit të faktit që grumbulli i kompanive që u shpërblye në këtë rast, “VIA SH.P.K.; EUROKOS HOLDING SH.P.K.; A.L-ASFALT shpk; DioBes SH.P.K.; EUROTITAN SH.P.K.”, nuk arrin as që të i përmbush kriterin sasior të vlerës së projekteve që kishte kërkuar Ministria e Infrastrukturës.

    Konzorciumi kishte dorëzuar listën e pajisjeve dhe dëshmi mbi posedimin e tyre, por sipas pretendimeve të kompanisë që deponoi ankesë në OSHP, “pas analizimit në detaje të tyre, del që shumica janë dëshmi fiktive, të falsifikuara, të duplifikuara…”.

    Mbi 15 faqe të këtij dokumenti që është deponuar zyrtarisht në OSHP, janë të mbushura me fotografi të pajisjeve dhe dokumenteve të tyre që për kompaninë ankuese janë të dyshimta. Megjithatë, tenderi iu dha.

    Në këtë dokument paraqiten pretendime se disa nga dëshmitë madje janë të kopjuara nga interneti, dhe ngrenë dyshime se në këtë skemë është i përfshirë edhe  një noter nga Ferizaj, e për çka ata paralajmëronin që që do të denonconin rastin tek organet që merren me hetime.

    “Pra po shihte hapur se është manipulim i dhe se të gjitha këto foto janë të kopjuara dhe manipuluara nga interneti. Për çudi edhe noteri nga Ferizaj ka vërtetuar diçka të tillë që ligjërisht e ka të ndaluar ta bëjë. Edhe me këtë çështje besoj do merren organet kompetente pas paraqitjes tonë për hetim”, thuhet në dokumentin e deponuar në OSHP.

    “Përpos kësaj dëshmitë e paraqitura për plotësim të këtyre kërkesave duken të jenë të mangëta, të manipuluara dhe të falsifikuara. Sipas nenit 398 dhe 399 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës me Nr. 04/L-048 dhe në rastet e ofrimit të të dhënave mashtruese dhe paraqitjes së dokumenteve të rreme konsiderohet vepër penale”, thuhet në ankesë. /Gazeta Insajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark