×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    10 minutat kur na sulmoi ISIS-i

    Insajderi
    30 July 2016 - 11:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Refuzimi i Kosovës ndaj kërkesës së shtetit turk, nëpërmjet ambasadës në Kosovës, që të hetohet pronari i Express-it, Berat Buzhala bashkë me mbështetjen e madhe që mori, nga vet gazetari u cilësua si një argument se “kosovarët nuk i nënshtrohen kërkesave që cenojnë liritë bazike”, në këtë rast atë të shprehjes së lirë.

    Por të premten, ky konstatim, vuri në dukje diçka të cilën, nuk kemi pasur si ta dimë në Kosovë: frikën ndaj një sulmi të mundshëm mbi disa liri të cilat ne si shoqëri i kemi të garantuar, në këtë rast një festival birre.

    Për 10 minuta, të gjithë menduam se na sulmoi ISIS-i.

    Një ditë pas, Prishtina është gdhirë e pastruar nga gjithçka që nata e mbrëmshme la në sheshin Zahir Pajaziti, madje edhe nga dilema nëse kishte një sulm terrorist apo jo.

    Prej gotave të plastikës e deri tek këpucët dhe syzet bashkë me disa fishek të shkrepur si provë për shkaktarin e një incidentit.

    Kam qenë në rrugën e “kafeve të rakisë” kur një turmë e njerëzve kanë mbushur rrugën duke ikur nga diçka për të cilën askush nuk e kishte idenë.

    Prindër me fëmijë të cilët kanë qenë shumica duke qajtë, edhe plot të ri e të reja të cilët unë kurrë nuk i kam paramendu, në atë formë.

    Ajo çfarë zyrtarisht sipas hetimeve të deritashme, dyshohet se personi që ka shtënë ka qenë i dehur. Ai ka shtënë me revole për llojin e së cilës u dhanë dy versione, dhe se pas kësaj të shtëne gjithçka ka eskaluar në panikë.

    Një qytetar që thotë të ketë qenë afër personit të dyshuar, e përshkruan atë si një “person pa flokë”. Dhe ky person, i cili nuk përshkruhet nga policia,  nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë sulm të organizuar.

    “Policia bënë thirrje se nuk ka vend për panik dhe se situata është nën kontroll”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një prononcim për media.

    Por situata mbrëmë nuk ka qenë fare në kontroll. Madje ka qenë një nga netët më të pasigurta, në kontekstin e rendit dhe qetësisë publike.

    Prej rrugës “me kafet e rakisë” që të qon tek Fakulteti i Arteve e më pas tek pjesa e tunelit në sheshin Zahir Pajzaiti, turma njerëzish kanë qenë krejtësisht në panikë edhe pa asnjë informacion.

    Por shumë versione se çfarë ka ndodhur: dikush ma ka shpjegu rastin si “një person që ka gju me allti” por edhe rrëfime sikur “disa persona kanë gjuajt me allti nëpër masë”.

    Lajmet nga kryeqendrat evropiane, prej Munihut ku një person qëllon për vdekje dhjetëra të tjerë në një qendër tregtare, mes tyre edhe tre kosovar e deri në Nicë, ku një person hyri me kamion nëper turmë duke shkelur për vdekje dhjetëra të tjerë, duket se nuk kanë pasur ndikim vetëm ku kanë ndodhur sulmet.

    Sipas raportimeve në mediat franceze numri i francezëve që pranojnë se kanë frikë të marrin pjesë në ngjarje publike është duke u rritur si pasojë e sulmeve të fundit.

    Skena të ngjajshme me ato të Munihut, ku policët enden me revole në kërkim të sulmuesit, për herë të parë i kam pa mbrëmë edhe në Prishtinë; një polic në shesh me revole në dorë në kërkim të dikujt në një masë njerëzish.

    Ishin bërë 30 minuta prej sulmit dhe ende kurrkush nuk jepte informacion. Por zona ku supozohet të ketë  ndodhur ajo që më vonë u quajt incident, u rrethua me shirit, ndërsa Forenzika punuan edhe një orë pas mesnatës.

    Atëherë e takoj për së dyti herë, njërin nga organizatorët e festivalit, Ekrem Tahiri i cili sipas informacioneve përfundimtare thotë se ka qenë vetëm një e shtënë me armë dhe  nuk ka pasur asnjë rrezik në masë.

    “Dhe se Beerfest do të duhej të vazhdoj. Por gjatë ditës së shtunë do të takohemi me Komunën dhe Policinë dhe do të dilet me një komunikatë të përbashkët”, tha Tahiri.

    Sipas tij, anulimi do të thoshte njëfarë dorëzimi ndaj frikës për ndonjë sulm të planifikuar, duke u bazuar në ngjarjet e akteve terroriste në disa qytete evropiane.

    Tash,  një festival i birrës në Prishtinë, në një kohë kur debati për religjionin është në kulmin e tij, mund të aludoj për shumë kë në një pistë për ndonjë sulm.

    Dhe kjo ishte bindja kryesore e shumicës së njerëve në 10 minutat pasi është dëgjuar e shtëna e parë.

    Derisa, u mor vesh që nuk ka të lënduar dhe asnjë të vdekur.

    Por a kemi me të vërtetë frikë nga ISIS-i?

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark