×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    10 muaj zvarritje, 7 ankesa e akuza për dëmtim buxheti- historia e tenderit milionësh për targat

    Insajderi
    23 October 2023 - 15:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një kompani pretendon që u dëmtua buxheti për 20 mijë euro, e një tjetër për afro 700 mijë. Deri tash MPB-ja e ka klasifikuar si të suksesshme vetëm një firmë me 2.3 milionë euro ofertë. 4 ankesa i janë kthyer kundër. Edhe tri së paku presin të marrin përgjigje. As pas më shumë se 10 muajsh MPB-ja nën drejtimin e Xhelal Sveçlës nuk ka nënshkruar kontratë për furnizim me targat e automjeteve. Ankuesit denoncojnë publikisht edhe për veprime penale në zyrën e tenderëve. A do ta kenë fatin e njëjtë edhe targat, sikurse tenderi për furnizim me material për pasaporta e dokumente tjera brenda po kësaj ministrie, për të cilën Insajderi pati publikuar një hulumtim?

    Visar Duriqi

    Ishte fillimi i dhjetorit 2022 kur Ministria e Brendshme e drejtuar nga Xhelal Sveçla bëri thirrjen për të blerë targa për automjetet në Kosovë. Planifikoi që ti shpenzonte 2.6 milionë euro.

    Tash është gati fundi i muajit tetor, dhe edhe pas më shumë se 10 muajsh ende nuk ka nënshkruar kontratë me ndonjërën nga nëntë kompanitë që hynë në garë për këtë punë.

    Zvarritjet e kësaj natyre në fund të vitit të kaluar kishin sjell Republikën e Kosovës në një situatë serioze, por edhe qesharake në të njëjtën kohë, ku vendi kishte mbetur edhe pa letër për prodhimin e pasaportave e dokumenteve tjera të identifikimit që duhet ti lëshojë Ministria e Brendshme.

    Një hulumtim i Insajderit pati zbuluar se në tender për furnizim me pasaporta e dokumente të tjera pas afro tetë muajsh në proces ai ishte anuluar nga MPB-ja nën drejtimin e Sveçlës, ani pse ekspertiza e OShP-së e thoshte të kundërtën. Pavarësisht kësaj, MPB-ja pati vendosur që të procedonte me një tender të shpejt e ku u kontraktua një firmë krejt tjetër me një kontratë prej mbi 4 milionë eurosh.

    Lexo hulumtimin: Prapaskenat e tenderëve milionësh të Ministrisë së Sveçlës, si mbeti Kosova pa pasaporta?

    Çka po ndodhë tash me tenderin për targa?

    Ky tender milionësh, që u nis me qëllim të përzgjedhjes së një kompanie që të furnizonte me targa për mjetet motorike në vend, ka kaluar në aq shumë procedura sa që vetëm në Organin Shqyrtues të Prokurimit janë deponuar 7 ankesa.

    Në katër prej tyre, që në mars të këtij viti, ky institucion vendosi katër herë që tenderin ta kthente në ri-vlerësim.

    Kryesisht, OShP kthen një tender në ri-vlerësim kur konstatohet se gabimi është bërë nga institucioni, në këtë rast nga MPB-ja, dhe deri tash Gjykata e Tenderëve ka vendosur katër herë kundër MPB-së, dhe katër ankesa të tjera janë në pritje.

    Deri tash në ri-vlerësim ky tender i planifikuar mbi 2.6 milionë euro është kthyer me ankesë të firmës TSR Sh.p.k., Ego Elsa SH.P.K., G.S.G Sh.p.k,  dhe Horn & Co Kosova SH.P.K.              

    Në procedurë ankesë, ende pa përgjigje janë edhe ankesat tjetër e  TSR Sh.p.k., Horn & Co Kosova SH.P.K. dhe G.S.G Sh.p.k   të deponuara më 18 e 19 tetor.  

    Në një vendim të 27 shtatorit të këtij viti, MPB-ja eliminoi krejt kompanië në garë, 9 orej tyre duke e e konsideruar të suksesshme në garë vetëm koncorciumin “Ego Elsa” sh.p.k me partnerin maqedonas “Rade Koncar” nga Shkupi me një ofertë prej mbi 2.3 milionë eurosh.

    “200 mijë euro më shtrenjtë, zyrtari bëri vepër penale”

    Bash tek çmimi është fokusuar edhe njëra nga ankesat që është deponuar më 19 tetor.

    “Me vendimin e tillë të AK (MPB-së) dëmtohet buxheti i Kosovës për më shumë se 200,000.00 Euro dhe rrjedhimisht shkelet haptazi dhe me dashje kjo dispozitë ligjore”, thuhet në këtë ankesë.

    Sipas ankuesit, UD i Zyrtarit Përgjegjës i Prokurimit në MPB,  “Agim Islami ka marrë vendim për dhënie të kontratës në kundërshtim flagrant të procedurave”.

    Kjo sipas ankuesit është pasi që ai vet, personalisht, ka vlerësuar tenderin “dhe duke nxjerr vendim arbitrar për të shpallur fitues një OE për të cilin është e faktuar se është i papërgjegjshëm dhe gjithashtu është me i shtrenjtë se oferta jonë për mbi 200,000.00 euro”.

    “I njëjti (Agim Islami) de-facto ka shërbyer si anëtar i komisionit vlerësues dhe atë si “anëtarë i vetëm”, duke injoruar rekomandimin e Komisionit Vlerësues ashtu që ka bërë vlerësim dhe ekzaminim të ofertave të Operatorëve Ekonomik në kundërshtim me kompetencat që ka me Rregullore… dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në ankesë.

    Ankuesi në këtë dokument publik, denoncon njeriun kryesor, aktualisht, të tenderëve në MPB për vepër penale

    “Ky tejkalim i kompetencave nga ana e zyrtarit përgjegjës përbën vepër penale të Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare, sepse ka tejkaluar kompetencat e tij për qëllim te caktuar qe t’i sjell përfitim të paligjshëm një operatori ekonomik i cili është i papërgjegjshëm dhe në anën tjetër ka për qëllim të na dëmtoj neve si Operator Ekonomik të përgjegjshëm dhe buxhetin e Republikës së Kosovës për një shumë prej mbi 200,000.00 Euro”, thuhet në ankesë.

    Kompania: Ishim më të lirë për afro 700 mijë euro

    Një kompani tjetër pretendon se me mos-përzgjedhjen e tyre madje buxheti i shtetit do të dëmtohet afro 700 mijë euro.

    “…Autoriteti Kontraktues (MPB) dhe me vendimin e Refuzimit të kërkesës për rishqyrtim, pasi si Ofertues kemi ofertuar me çmimin më të lirë dhe që kursehet buxheti i Kosovës në vlerë prej 673,953.53 Euro. Mos kursimi i vlerës financiare prej 673,953.53 Euro nga mos përzgjedhja e konsorciumit tonë si fitues të tenderit përveç që bënë shkelje ligjore të të gjitha dispozitave ligjore të potencuara me Ankese të Ligjit te Prokurimit Publik, bënë edhe shkelje ligjore të Ligjit të Menaxhimit te Financave Publike:, thuhet në ankesë.

    Në ankesën e tretë që po pret përgjigje nga OShP-ja, kompania tjetër në garë pretendon që MPB-ja ka shkelur së paku tetë nene të Ligjit të Prokurimit.

    Me këtë tender MPB-ja planifikon që të blejë mbi 320 mijë palë targash të ndryshme, ku mbi 280 mijë janë targa automjetesh, 3 mijë për institucionet qendrore, 500 për komunat, 600 për ambasadat, 200 për veturat e sistemit të drejtësisë etj. Për FSK-në janë paraparë 500 targa./Gazeta Insajeri.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark