Me 10 vite e 8 muaj burg secili janë dënuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij, si dhe me heqjen e të drejtave politike për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur për 5 vite.
Avokati i tij personal, Sakis Kehajoglou ka deklaruar ekskluzivisht për Top Channel se ky është një nga vendimet e fundit për veprat penale, për të cilat akuzohet Alket Rizai.
I pyetur se përse klienti i tij ka deklaruar në sallën e gjyqit se “Nuk jam as shenjtor, as djall. Nëse më dënoni ose jo, për 1 vit e gjysmë do të jem i lirë”, Kehagioglou ka thënë se Alketi ka mbledhur të gjithë dënimet ndaj tij, përfshi dhe burgimin e përjetshëm, dhe sipas ligjeve greke duke zbritur kohën që ka qëndruar në burg, ka llogaritur se për një vit e gjysmë ose diçka më shumë do të jetë përsëri i lirë.
Në gjyqin e sotëm në Lamia, Rizai, i njohur në Greqi për arratisjet e tij të bujshme, sidomos ajo me helikopter nga Burgu i Korridhalosë, ka pohuar para trupit gjykues se nuk kishin ndërmend që të plagosnin apo vrisnin punonjësit e burgut që morën peng, ndërsa ka thënë gjithashtu se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, që po i konsumonte për herë të parë.