Insajderi
Lajme

100 kandidatë i nënshtrohen testit me shkrim për 34 pozita të prokurorëve të rinj në Kosovë

Insajderi
29 November 2026 - 13:38
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
100 kandidatë i nënshtrohen testit me shkrim për 34 pozita të prokurorëve të rinj në Kosovë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur testin me shkrim për kandidatët që kanë aplikuar në procesin e rekrutimit të 34 prokurorëve të rinj të shtetit, të cilët do të shërbejnë në prokuroritë themelore të vendit.

Sipas njoftimit të KPK-së, testit të mbajtur në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës i janë nënshtruar gjithsej 100 kandidatë, prej të cilëve 48 gra dhe 52 burra.

Nga 34 pozitat e shpallura, 10 janë të rezervuara për komunitetin serb. Në test kanë marrë pjesë edhe tre kandidatë nga ky komunitet dhe një kandidat nga komuniteti boshnjak.

Procesi është udhëhequr nga kryesuesi i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Arian Gashi, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit.

KPK ka bërë të ditur se testi me shkrim është hartuar në ditën e mbajtjes së tij, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë nga EULEX-i, OSBE-ja dhe rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET.

Këto organizata kanë monitoruar edhe mbarëvajtjen e procesit, me qëllim të garantimit të transparencës dhe integritetit në përzgjedhjen e kandidatëve.

Pas përfundimit të testit me shkrim, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark