Sekretari për marrëdhënie me jashtë në Vetëvendosje, Boiken Abazi, sipas Policisë dihet që ka dalë nga Kosova me 3 shkurt të këtij viti por nuk dihet se kur ka hyrë përsëri në vend. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse Abazi është deportuar nga vendi dhe i është ndaluar hyrja për 2 vite.
Arsye tjetër pse Abazi është deportuar janë edhe pesë raste penale të hapura ndaj tij.
Por për Lëvizjen Vetëvendosje, Boiken Abazi ka hyrë legalisht në Kosovë, në të njëjtën ditë, duke qenë në shoqërimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, dhe Ramadan Deliut, dhe duke kaluar kontrollin normal kufitar në pikën doganore të Morinës.
VV e konsideron vendimin për deportimin e sekretarit të marrëdhënieve me jashtë në këtë parti, Boiken Abazi nga Kosova është i vendim i një qeverie proserbe.
Policia ka vendosur ta depërtojë Abazin që është shtetas i Shqipërisë, duke u thirrur në shkeljen e ligjit për të Huajt, por sipas VV-së, krejt ky vendim vjen vetëm për dy arsye: sepse Abazi është anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe sepse është shtetas i Shqipërisë.
“Prej Kosovës nuk deportohen shtetasit e Serbisë që ushtrojnë aktivitete në strukturat ilegale paralele në Kosovë, apo anëtarët e mafisë ballkanike që bashkëveprojnë me pushtetarët e Kosovës. Por, po deportohet një qytetar i Shqipërisë, vetëm për angazhimet dhe aktivitetet e tij politike e kombëtare”, thuhet në komunikatën e partisë.