Bushati ka shkruar se mediat online kanë ndikuar që gazetarët të kenë më shumë hapësirë për të shprehur mendimin e tyre. Në të njejtën kohë, sipas tij, kanë bërë që pushteti ta ketë më të vështirë kontrollimin e mediave për shkak të numrit të madh të tyre.
“Ai (Edi Rama) ka një problem shumë më të madh, sepse tanimë, atij nuk i duhet të mbyllë borxhet e disa pronarëve, por zërat, gojët dhe lapsat e dhjetra dhe qindra gazetarëve. Prandaj kryeministri po tenton të ndjekë një taktikë të re: atë që nuk e blen dot me para, po mundohet ta heshtë me anë të ligjit”, ka shkruar Bushati.
Ai shkruan se po të mos ishin mediat e reja online zgjidhja do të ishte më e lehtë.
Rama, sipas tij, do të ndikonte në media duke dhënë leje ndërtimi për Klanin, Vizionin, Shekullin e Panoramën si dhe duke dhënë liçensa të paligjshme dhe parkingje qyteti për Topin.
“Edi Rama, me aftësinë e një mjeshtri të propagandës, ka kuptuar një gjë. Rreziku i tij nuk janë mediat tradicionale tashmë të diskredituara. Rivali i tij nuk është opozita që ende rreket të mbrojë qeverisjen e vjetër. Armiku i tij real, janë zërat e rinj dhe të lire, që po gëlojnë në rrjet. Prandaj dhe ai po përpiqet të gjejë rrugë ligjore për ti neutralizuar ato”, ka shkruar Bushati.