×
  • Lajme
  • Lajme

    Vazhdon beteja për datën e zgjedhjeve në Maqedoni

    Insajderi
    01 February 2016 - 15:04

    Dallimet në mes të partive opozitare dhe atyre në pushtet në Maqedoni e ka bërë të pamundur caktimin e një datë për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht ka ngritur tensionet politike në vend.

    Partitë e kampit qeveritar kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen më 24 prill, datë kjo që po kundërshtohet nga opozita, që insiston se nuk janë përmbushur pikat kryesore të marrëveshjes politike për mbajtjen e tyre në atmosferë të lirë dhe demokratike.

    Për më tepër, lideri i Lidhjes Social-demokrate në Maqedoni, Zoran Zaev, mbetet në qëndrimin për bojkotin e zgjedhjeve, nëse pushteti insiston në mbajtjen e tyre më 24 prill.

    Duke komentuar betejën e këtillë mes partive politike, analisti Albert Musliu thotë se zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse, pasi në të kundërtën kriza mund të thellohet edhe më shumë.

    “Kur e shikon sipërfaqësisht, është betejë e çuditshme. Pozita insiston që të mbahen zgjedhje, opozita insiston që ato të mos mbahen, gjë që është paradoksale, pasi opozita çdo kund në botë insiston që të ketë zgjedhje, ndërsa pushteti të ruajë pozicionin. Por, në Maqedoni asgjë nuk është normale, kështu që beteja zhvillohet për çështje tjera,” i ka thënë Musliu Radios Evropa e Lirë.

    Musliu ka tërhequr vërejtjen duke thënë se “kemi nevojë për zgjedhje gjithëpërfshirëse, me një rezultat të pranueshëm nga të gjitha palët“./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2023 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark