Le të marrim si shembull negociatorët e Kosovës në Bruksel. Nga informatat e pakta që i kemi nga ky proces, është e qartë se interesat e Kosovës po mbrohen kryesisht nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, negociatat nuk janë duke u bërë mes Kosovës dhe Serbisë, por në mes të BE-së dhe Serbisë. Në këtë kontekst, BE-ja po kërkon të gjejë formatin ma të përafërt për Serbinë që të njohë Kosovën, pa e njohur. Në njëfarë mënyre, të legalizojë statusin aktual të Kosovës. Ku Kosova është gati shtet, po jo bash shtet. Që vizuelisht shumë mirë paraqitet me atë asteriksin që tash ia kanë gozhduar: Kosovo*.
Në anën tjetër negociatorët nga Kosova janë duke bërë shopping në Bruksel. Vizitojnë ndoshta edhe ndonjë muze, si turista.
Pra problemi me njerëzit që sot janë në pushtet nuk është veç se janë të paaftë, hajna, kriminela, e të korruptuar. Kjo po se po është problem, por çështja kryesore është se shumica as vetë nuk besojnë në shtetin e Kosovës. Për liderët e LDK-PDK pushteti është mundësi e mirë për ta rahatuar jetën e tyre dhe të ndonjë familjari. Mundësi për të grumbulluar pasuri për vete e familjet e tyre, në mënyrë që kur eventualisht tu skadojë pushteti, të jenë të siguruar. Ky, po besoj, është thelbi i problemit që e kemi. Elita politike nuk beson se Kosova ka të ardhme, andaj po shikon mënyra të përfitojë për vete. E në anën tjetër, ironikisht arsyeja pse Kosova nuk ka të ardhme është se elita politike po pasurohet vetëm për vete.
Kështu pra pastaj vjen hajnia dhe korrupcioni. Sepse për të mbijetuar në një shtet pa të ardhme dhe perspektivë, secili do të ishte në gjendje të bënte çkado që është e mundur që të siguronte të ardhme e tij individuale dhe të familjes. Si në ata filmat që kur vjen fundi i botës, e një elitë e vogël sigurohen si të mbijetuarit e vetëm (zakonisht përmes ndonjë flutarakeje, bunkeri të madh, apo anije masive).
Me këtë logjikë, natyrisht që negociatorët tanë në Bruksel dalin në shopping. Madje nuk ju vjen turp të fryhen edhe semi-publikisht se sa të aftë janë, sepse biletat e aeroplanit dhe hotelit ia paguan shteti. Pra, ata, për dallim prej pjesës tjetër të popullatës janë të përzgjedhur, kanë mundësi të shkojnë në udhëtime falas. Kanë jetë të mirë dhe të ardhme të sigurtë. S’është faj i tyre që Kosova s’ka mundësi të gjithëve t’ua plotësojë këto kushte (por në fakt është!).
E përderisa dalin në shopping për kënaqësinë e tyre personale, në Bruksel merren vendime si kompetencat jo-kushtetuese të Asociacioni të Komunave Serbe. Sipas vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ky Asociacion ka të drejtë të formohet (e këtë e di secili që ia ka lëshu një sy ndonjëherë Kushtetutës) por sipas saj, kompetencat e këtij asociacioni nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Pra, Asociacion mund të krijojë kushdo, por jo të atillë çfarë janë pajtuar në Bruksel.
Sot jemi në një situatë ku i kemi disa njerëz në pushtet që opinionin dhe problemet e qytetarëve i shikojnë në Facebook, nga smartphone i tyre 600 eurosh, në një hotel diku jashtë shtetit që është paguar nga buxheti i shtetit dhe me siguri mendojnë, “sa i aftë jam që nuk jam si shumica në Kosovë”. Me siguri e shajnë Kosovën, se si me këtë popullatë kurrë s’do të përparojë. Se si me këtë popullatë nuk ka të ardhme. (Për ty që je në atë pozitë dhe po e lexon këtë tekst, e di që po të djegë shumë sa e vërtetë është krejt çka po flas).
E në fakt, po e përsëris, ata do të duhej të ishin në pushtet pikërisht për të përmirësuar jetesën e asaj popullate.
Por edhe nëse do të dëshironin që të bënin diçka për vendin e tyre, këta njerëz nuk kanë aftësi. Nuk kanë as vizion, e as kreativitet për të bërë diçka. Në momentet kur janë të inspiruar dhe u kthehet një grimë vullnet për kontribut ma e shumta që e mendojnë është integrimi në Bashkimin Evropian. Thuaj se me intregrim në BE mund të rregullohet shteti. E në fakt, krejt çka BE po kërkon nga Kosova është që të rregullohet shteti para se të hyjë në BE.
Pa e formuar një Qeveri që për vete e pranon Kosovën si shtet dhe ka vizion të qartë për të, nuk mund të presim që ta pranojnë shtetet tjera.