
Gjykata e Landgericht Hamburg ka dënuar me 13 vite burg 61-vjeçarin Princ Dobroshi, i njohur në botën e krimit si “Peshkaqeni”.
Ai u shpall fajtor për trafikun e një sasi marramendëse droge: 10 tonë kokainë që në vitin 2020 u kontrabanduan nga Amerika e Jugut dhe Qendrore përmes portit të Hamburgut, të organizuar kryesisht nga Dobroshi, shkruan Bild, përcjell Insajderi.
Dobroshi ka një histori të gjatë kriminale që nga vitet 1990: u arrestua në Norvegji në 1993, u arratis në 1997, u kap sërish në Pragë në 1999 dhe u lirua në 2005.
Sipas gjykatës, ai kishte një rol kyç edhe në aktivitetet e fundit të krimit të organizuar, duke koordinuar transportin dhe shpërndarjen e kokainës që mbërrinte në kontenierë të fshehur mes bananave, orizit, qymyrgurit ose xhelatinës.
Hetimi i tij u lehtësua nga zbulimi i mesazheve në aplikacionin e kriptuar EncroChat. Dobroshi u arrestua në fund të vitit 2023 në Shqipëri dhe u ekstradua në Gjermani në 2024.
Gjatë gjykimit, ai pranoi përgjegjësinë, gjë që ndikoi në uljen e dënimit.
Përveç burgimit, shteti do të konfiskojë edhe 8,2 milionë euro nga pasuria e tij, ndërsa 2,5 milionë euro në para u sekuestruan që në 2020.