×
  • Lajme
  • Lajme

    Oferta greke që nuk u shfrytëzua nga Qeveria e Kosovës

    Insajderi
    04 February 2016 - 09:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dy vite më parë, gjatë një vizite të ish-ministrit të Jashtëm grek në Kosovë, Evangelos Venizelos, ishte bërë e ditur se shteti i tij ka lejuar Kosovën që të hapë një zyrë ndërlidhëse në Athinë.

    Një hap i tillë u konsiderua si fillim i përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në kohën kur Greqia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008.

    Por që nga ajo kohë asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës.

    Zyret ndërlidhëse, në marrëdhëniet diplomatike, konsiderohen se janë nivel më i ulët i përfaqësimit të një shteti në vendin pranues.

    Hapen kur dy shtetet nuk kanë marrëdhënie normale diplomatike.

    Një të tillë Kosova e ka edhe në Beograd, edhe pse Serbia vazhdon të jetë kundërshtuesi më i madh i pavarësisë së Kosovës.

    Labinot Hajdari nga Qendra Kosovare për Diplomaci thotë se Greqia është treguar më konstruktive në raport me Kosovën në krahasim me vendet tjera të BE-së që refuzojn ta njohin Kosovën.

    Sipas Hajdarit, edhe shpresat për një njohje nga Greqia ishin rritur pas idesë që Kosova të hapë një zyrë ndërlidhëse ne Athinë.

    “Diçka e tillë, fatkeqësisht nuk u realizua as pas dy viteve. Institucionet tona duhet intensifikuar bashkëpunimin me institucionet greke, dhe artikuluar kërkesën për njohje, qoftë në mënyrë direkte, përmes shteteve mike te BE-së, por edhe përmes Tiranës zyrtare,” thotë ai.

    “Sepse njohja eventuale e Kosovës së pari nga Greqia, mund të shihet edhe si mundësi për të ndikuar në vendet e tjera të BE-së,” shton ai.

    Insajderi ka dërguar disa pyetje tek Ministria e Punëve të Jashtme për të marrë sqarime lidhur me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje

    Greqia së bashku me Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron, vazhdojnë të jenë pesë vendet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Njohja nga cilido vend i BE-së konsiderohet më e rëndësishme se njohjet që mund të vijnë nga vende më të largëta të ndonjë kontinenti tjetër marrë parasysh aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane.  Përveç kësaj, do të fillonte shpërbërja e bllokut të pesëshes që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Kosova acaron marrëdhëniet e Greqisë me Serbinë

    Qasja më konstruktive e Greqisë ndaj Kosovës i ka kushtuar asaj edhe me polemika me qeverinë serbe.

    Në korrik të vitit të kaluar, vetëm disa muaj para se të bëhej votimi për anëtarësim të Kosovës në UNESCO, ministri i Jashtëm i Greqisë Nikolas Kotzias kishte deklaruar se vendi i tij e përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare duke shtuar se Greqia gjithherë ka përkrahur krijimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës.

    Këto deklarata ministri grek i kishte bërë gjatë një  vizite në Kosovë, ku edhe në këtë takim ishte përmendur mundësia që Kosova ka për hapjen e një zyre në Athinë.

    Deklarata e tij kishte ngjallur reagim në Serbi dhe kishte shtyrë Ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç që të kërkojë nga Greqia të sqarojë këtë deklaratë.

    “Ne kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme greke që të sqarojë deklaratat e Ministrit Kotzias [rreth Kosovës].  Unë pres që Greqia të mos ndryshojë qëndrimin e saj karshi shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova edhe përkundër presioneve të mëdha,” pati thënë  Daçiq.

    Kosova deri më tani është njohur nga 111 shtete, porse ritmi i njohjeve ndërkombëtare ka shënuar rënie të vazhdueshme që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

    Për më tepër, për një vit të Hashim Thaçit në krye të diplomacisë kosovare, vendi ka pranuar vetëm dy njohje: nga Antigua dhe Barbadua dhe Ishujt Niue

    Këta janë shtete të vogla pa ndonjë ndikim të madh në politikën ndërkombëtare.

    Liderët kosovar, të inkurajuar nga numri i madh i njohjeve që erdhën vetëm disa ditë pas pavarësisë së vendit, jo rrallë janë zotuar se Kosova do të njihet nga të gjithë vendet e BE-së por do të jetë anëtare me të drejta të plota e OKB-së.

    Hashim Thaçi, pas shpalljes së pavarësisë kishte deklaruar se Kosovën brenda tre muajsh do ta njihnin 100 shtete, por deklarata e tij kishte dalë të jetë e pasaktë.

    Në anën tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj thotë se Qeveria e Kosovës në përgjithësi nuk ka bërë sa duhet në bindjen e pesë vendeve të BE-së që të njohin Kosovën.

    “Madje, qëndrimi i pesë vendeve të BE-së karshi Kosovës më tepër është përmendur nga zyrtarë evropianë, që kanë bërë thirrje që qasja të ndryshojë, sesa nga vetë zyrtarët shtetërorë të Kosovës,” ka thënë ai./Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark