Insajderi
Lajme

1,71 euro litri i naftës- Kjo është kompania emrin e së cilës e fshehu deputetja Bajrami gjatë denoncimit

Insajderi
22 March 2026 - 20:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
1,71 euro litri i naftës- Kjo është kompania emrin e së cilës e fshehu deputetja Bajrami gjatë denoncimit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Hykmete Bajrami denoncoi një pompë derivatesh, ku litri i naftës kishte shkuar 1,71 euro. Bajrami kritikoi qeverinë për çmimin tavan duke thënë se nuk po ia “lë shenjë”, mirëpo ia “huqi” lajmit: Pompa e derivateve në të cilën ishte çmimi kaq i lartë i naftës ishte ExFis, kompania që financoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe fitoi tenderë të shumtë gjatë qeverisë Kurti.

ExFis është kompani e njohur në publik si financues të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte ndarë para për këtë subjekt politik përgjatë 2020-ës. Megjithatë, historia e tyre s’mbaron me kaq.

Së fundmi është raportuar se Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (CAA) i ka aprovuar kompanisë private EXFIS të drejtën e ofrimit të shërbimeve të furnizimit të aeroplanëve me kerozinë për një periudhë 7-vjeçare, nga 1 janari 2026 deri më 31 dhjetor 2032, pa iu nënshtruar konkurrencës në tregun e derivateve.

Kompania private “EXFIS” ka disa vite që ka monopol në furnizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me kerozinë dhe nga një biznes i tillë ka fituar dhjetëra miliona euro të hyra.

Pas financimit që i kishte bërë në fushatën e vitit 2020, kompania e derivateve “EX FIS”, në pronësi të afaristit Isa Muharremi, është përmendur edhe për uzurpimin e pompave të derivateve në veri.

“EX Fis” tentoi që t’i kapte pompat në zonat veriore të cilat po shfrytëzoheshin nga ‘Nis Petrol’, pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Veç pak ditë pas shpalljes publike të AKP’së, “EX FIS” është parë duke brenduar pompën pa u mbyllur afati.

Në rrjete sociale ishin ndarë fotografi të cilat dëshmonin se disa punëtorë të “EXFIS”-it kishin brenduar pompat para mbylljes së afateve.

Më pas, logot e “EXFIS” ishin larguar pasi AKP’ja kishte thënë se dhënia në shfrytëzim e pompave duhet të kalojë përmes prokurimit.

Kjo kompani ndër vite ka përfituar kontrata të shumta nga institucionet publike, veçanërisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Vetëm gjatë gjashtëmujorit të fundit, KEK-u i ka dhënë “Ex Fis” dy kontrata për furnizim me mazut përmes procedurës me negocim.

Gazeta Insajderi ka raportuar me 19 shkurt, se njëra nga këto kontrata njëburimore për “Furnizim me mazut” kap vlerën 260 mijë euro.

Ndërsa një tjetër kontratë e dhënë më 3 dhjetor 2025 arrin vlerën 264 mijë euro.

Po ashtu, në korrik të vitit 2025, KEK-u kishte nënshkruar një kontratë tjetër me këtë kompani në vlerë prej 592 mijë eurosh për furnizim me Fuel Oil 1.0%.

Sipas të dhënave në platformën e-prokurim KEK ka lidhur disa kontrata me “Ex Fis”.

Pesë prej tyre janë ende në realizim, ndërsa disa të tjera, përfshirë një tender rreth 2 milionë euro, një tjetër rreth 700 mijë euro dhe një rreth 500 mijë euro, tashmë kanë përfunduar.

Tenderi më i shtrenjtë që aktualisht është aktiv ka të bëjë me furnizimin me vaj për ngrohje – mazut, me vlerë afro 700 mijë euro.

Përveç KEK-ut, kontratë me këtë kompani ka lidhur edhe Ministria e Infrastrukturës, e cila në vitin 2023 i dha një tender për mirëmbajtje të rrugëve nacionale me vlerë rreth 100 mijë euro.

Në total që nga viti 2022 kompania “Ex Fis” ka përfituar mbi 6 milionë euro nga institucionet shtetërore gjatë qeverisjes së VV-së. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark