Shkruan: Albulena Kryeziu Bokshi – Aktore
Kjo nuk është një kritikë, kjo është një përshtypje, një shpërfaqje e emocioneve të mija për të cilat u bë shkas “+18” shfaqje, premiera e së cilës u dha në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë.
David Mammet, Arian Krasniqi dhe Qëndrim Rijani një trekëndësh që sikurse ai i Bermudeve që të tërheqë dhe të rrëmben brenda vorbullës, por që këta të tre të kthejnë prapë në jetë dhe madje të mbushin me çdo emocion të bukur që mund të përjetojë njeriu.
Pata rastin ta shohë provën e parë gjenerale që bënë trupa e teatrit të Gjakovës bashkë me regjisorin dhe sikur të gjithë kishin një hezitim (kushtimisht po them) për shkak që kushdo që merret me teatër e kupton që prova e parë e kompletuar di edhe të marrë “në thua”.
Atë natë në fakt për mua ndodhi shfaqja, ndodhi ai katarzisi që e mësuam në shkollë por që rrallë ndodhë të arrihet nga ana e neve “pasivëve” në sallë. Pas provës isha e magjepsuar shumë nga teksti, regjia e veçanërisht loja ekipore e aktorëve.
Një punë e mrekullueshme nga ecila kisha ngelë gojëkyqur pa dashur as “të marrë mundimin” të gjejë fjalët më të bukura për t’i përgëzuar sepse energjia ime ishte ajo që i tha të gjitha pasi që i takova pas provës.
Brenda asaj “Bermude-je” na shfaqej një realitet sa i hidhur po aq fatkeqsisht i rëndomtë (prap kushtimisht po them i rëndomtë duke qenë se po jetojmë në kohën ku çdo ditë dëgjojmë për vrasje, dhunime e krime nga më të rëndat) me nota humori të cilat ishin mëlmesa e shfaqjes dhe sikur ato momentë të vockla humori na bëjnë të mendojmë se mbase ajo është lumturia e vërtetë e njeriut ecila nuk zgjatë edhe aq’.
Fati është i paracaktuar apo është njeriu ai icili mund ta ndryshojë rrjedhën e fatit?! Këto dilema të cilat rëndom janë pjesë e secilit që merr frymë ngrihen nga një galeri personazhesh, të cilët na vijmë edhe nga kujtesa emocionale por edhe nga përditshmëria jonë.
Regjisori Rijani, sikur na kishte vënë përballë një pasqyre dhe qartazi na e shpërfaqte realitetin tonë. A jemi në të vërtetë të sinçertë karshi njerëzve më të dashur? A jemi në të vërtetë të sinçertë karshi vetës apo presim që të na gllabërojë “trekëndëshi i Bermudes” dhe nga aty pastaj të dalim si një kafshë e plagosur dhe në luftë për mbijetësë shkatrrojmë çdo gjë që na del para, pa pyetur as për çmimin as për pasojat.
Edi Kastrati dhe Bujar Ahmeti me një lojë si rrallëkush në këto role komplekse, ma kujtuan legjenden e dy krijesave të ngjitura (tash po parafrazoj) kur Zeusi i kishte mallkuar dhe i kishte ndarë. Si përfundim ata ngelën tërë jetën duke e kërkuar gjysmën tjetër.
Femra, intelektualët, demagogët e fesë, të pastrehët, të dëshpëruarit, të pushtetshmit e një mori “problematikësh” na shfaqen në “+18”. Por a i përkasin këto “përralla” vetëm të rriturve? Fatkeqsisht jo. Çthurrja e Edmond-it personazhit kryesor na bënë të kuptojmë që mallkimi që e ka zënë atë, do të vazhdojë të jetojë ndër breza, sepse pa vetëdije sikurse Edipi plotësojmë gojëdhanat e orakullit.
Gjatë tërë shfaqjes kisha përshtypjen që lufta kryesore po ndodhte brenda vetë njeriut (egoja-altergoja), sikurse edhe mua si “pasive e sallës” e brendshmja ime aktivizohej dhe zhvillonte luftë të ashpër. Unë mund të shkruaj edhe shumë e shumë rreshta pa ndalur për shfaqjen e mbrëmshme, por ja që çkado që mund të shkruaj nuk do të arrijë të përçojë tek ju (ju që patët durimin të lexoni këtë shkrim)- emocion- dashuri-lotë-të qeshura sikurse do t’ju përçojë shfaqja.
Andaj kurdo që ju jepet mundësia mos e humbisni rastin të shkoni e të shihni një trupë ecila është një bashkëdyzim i aktorëve që kanë vënë themelet e teatrit gjakovar dhe të rinjëve të cilët me energjinë e tyre të bëjnë të shikosh nga e ardhmja e ndritur.
Kolegë të teatrit të Gjakovës, bashkë me ekipin përcjellës skenograf Petrit Bakallin, muzika ecila mrekullisht shkrihej në shfaqje nga Adhurim Grezda, gjithë të tjerët që dhanë çdo gjë për këtë projekt e mbi të gjitha Qëndrim Rijanit ju them FALEMINDERIT që na dhatë emocione të papërjetuara më parë.