×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    “180 deri në 300 euro çmimi” – Vazhdon “pazari” me temat e diplomave në Kosovë

    Insajderi
    19 December 2022 - 14:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pazari me shitje-blerje të punimeve të diplomave në Kosovë është bërë fenomen viteve të fundit. Blerja e një teme të diplomës është lehtësisht e mundshme, edhe përmes rrjeteve sociale madje. Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me njërën nga këto faqe ku del se çmimi i një teme të diplomës të Fakultetit Ekonimik është vetëm 180 euro. Ndërsa nga ajo që është parë në këto grupe, ku çmimet shkojnë edhe deri në 300 euro, punimet janë pranuar nga profesorët madje edhe janë vlerësuar me nota maksimale

    Gjatë vitit akademik 2020/21, një numër shumë i lartë i studentëve kanë marrë një diplome universiteti në Kosovë. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 13 mijë e 793 studentë kanë diplomuar në këtë periudhë.

    Por të marrësh një diplomë në Kosovë po del të mos jetë shumë e vështirë. Në pah ka dal “Pazari përmes rrjeteve sociale”, që po ia mundëson kujtdo që është i interesuar ta blejë temën e diplomës.

    Me një kërkim të thjeshtë në internet, mund të gjesh lehtësisht punime seminarike, ndihmë në gjetjen e temave, përpunime e edhe shitje të temave të diplomave.

    Disa nga këto faqe janë edhe “Tema diplome juridik”, “Tema diplome për çdo degë”, “Tema diplome”, “Tema diplome ekonomiku” , e shumë të tjera.

    Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me një faqe që shet tema të diplomave. Pazari për një diplomë nga Fakulteti Ekonomik del të kryhet lehtësisht.

    Ata që ofrojnë këto punime thonë se i punojnë në tri gjuhë – Shqip, Anglisht e Gjermanisht.

    Sipas përgjigjes së tyre një temë e diplomës për nivelin Bachelor, në Fakultetin Ekonomik dega Banka e Financa, kushton 180 euro.

    Tema të diplomës shiten edhe përmes emaileve, përmes numrave të telefonit.

    Kostoja e tyre sillet prej 150 deri në 200 ose 300 euro, varësisht llojit të temës dhe niveli të studimeve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në këto grupe, po ashtu ata që blejnë temat e diplomave mbajnë të informuar “shitësit” me suksesin për të mashtruar profesorët të cilët ua kanë pranuar punimet e diplomave.

    Derisa këta të fundit u bëjnë thirrje studentëve që të diplomojnë në kohë rekorde.

    Blerësit e temave të këtyre diplomave madje tregojnë se janë vlerësuar me nota maksimale.

    Njohësi i çështjeve të Arsimit, Rinor Qehaja ka deklaruar se qëllimi i studentëve po del të jetë vetëm diploma.

    Kjo situate na dëshmon shume për qëllimin e vërtetë të shumë studentëve, pra, studime vetëm sa për tu pajisur me diploma”, kështu tha njohësi i çështjeve të Arsimit, Rinor Qehaja.

    Ai në një përgjigje për Gazetën Insajderi pohoi se është përgjegjësi e institucioneve të arsimit që të parandalojnë një gjë të tillë.

    Është përgjegjësi e institucioneve të arsimit të lartë që të instalojnë mekanizma llogaridhënës që parandalojnë, indektifkojnë dhe ndëshkojnë mashtruesit. Këtu një rol shumë të fuqishëm luan edhe profesori mentor, i cili po të kishte përkushtimin në vlerësim të detajuar të temave të diplomës në mentorin padyshim që do të mund të dallonte punimet e kontraktuara, dhe atë vetëm duke përcjell rrugëtimin në zhvillim të punimit nga studentit“, tha Qehaja për Insajderin.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, por sipas tyre ky institucion nuk mund të jap shifra të sakta.

    Policia e Kosovës i evidenton rastet bazuar në Kodin Penal, ne po ua dërgojmë të dhënat rreth rasteve ‘Falsifikim i dokumentit’ ku në periudhën janar-tetor 2022 janë evidentuar 306 raste. Vëmendje këto raste nuk janë falsifikim i diplomave, por mund në mesin e dokumenteve të ketë edhe diploma të falsifikuara, pra janë raste për falsifikim të cilido lloj dokumenti”, thuhet në përgjigjen e policisë.

    Shitblerja e punimeve është shndërruar në një dukuri që studentët e praktikojnë për të blerë punimet e që më pas me to diplomojnë në nivelin ‘bachelor’ dhe ‘master’. Këtë e konfirmon edhe hulumtim i publikuar nga “Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.

    Kjo organizatë, në vitin 2017, ka publikuar një hulumtim, që ka nxjerrë në pah, dukurinë e shitblerjes së punimeve për diploma universitare.

    Së voni, hulumtimit i është bërë një përditësim që ka konfirmuar dukurinë.

    Ndërsa vlen të theksohet se nga sallat e universiteteve publike dhe kolegjeve vetëm gjatë vitit 2020/21 kanë dal 13 mijë e 793 të diplomuar sipas raportit të Agjencisë së Statistika të Kosovës.

    Ndryshe Kosova, në raporte të ndryshme ndërkombëtare, është kritikuar për cilësi të dobët në arsim, nisur nga cikli i ulët e më lart.

    Në ranglistën botërore Webometrics, Universiteti i Prishtinës aktualisht gjendet në vendin e 3027-të.

    Pozita më poshtë se UP, radhitet Universiteti i Tiranës. Punët më mirë nga të gjitha universitetet e Ballkanit i ka ka Universiteti i Beogradit, i cili gjendet në vendin e 447-të sipas vlerësimeve të Webometrics. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark