
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është deklaruar pas shumë reagimesh në lidhje me një deklaratë të tij, ku ka thënë “Kosova sot po ndërton fabrikën e saj për të prodhuar municion dhe Franca ende nuk e ka atë’’.
Për “Tëvë 1” ai ka deklaruar se Franca është një nga prodhuesit kryesorë në botë.
Megjithatë, ministri ka thënë se Kosova është në fazën e funksionalizimit të fabrikës për prodhimin e municionit, përderisa shumë vende të BE-së kanë ngecje në këtë aspekt.
‘‘Unë asnjëherë nuk kam thënë se Franca nuk ka prodhime ushtarake. Patjetër që Franca është ndër prodhuesit kryesor në botë për prodhimin e shumë sistemeve ushtarake, pra të sistemeve të armatimit. Atë që e kam thënë po e ritheksoj prapë, që ne jemi në fazën e funksionalizimit të fabrikës për prodhimin e municionit, përderisa shumë vende të BE-së kanë ngecje në këtë aspekt, e në këtë rast Franca është përmendur vetëm një nga shembujt. Franca ka ndërprerë prodhimin e municioneve në vitin 1997 pra në fund të viteve të 90-ta, Franca ka ndërprerë prodhimin e municioneve të kalibrave 7.62 dhe 5.56 municione që tani do të prodhohen në Kosovë si rezultat i kontratës që kemi realizuar gjatë muajit dhjetor”, ka thënë ministri./tëvë1