“Propagandë, mashtrues”, çka tha Kurti sot që e “nervozoi“ opozitën? – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Propagandë, mashtrues”, çka tha Kurti sot që e “nervozoi“ opozitën?

    Insajderi
    14 May 2023 - 17:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Raporti i Bankës Botërore u bë mollë sherri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe opozitës. Kjo, pasi që Kurti tha se “në krahasim me 10 vitet e fundit, Kosova ngriti të hyrat për kokë banori për 50 për qind dhe uli përqindjen e varfërisë për 35 për qind”.

    Lidhur me këtë ka reaguar ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, duke e akuzuar për propagandë Kurtin dhe keq-citim të raportit.

    “Banka Botërore po thotë se: “Kosova ka përjetuar progres të qëndrueshëm ekonomik gjatë dekadës së fundit, me një rritje prej afro 50 përqind të të ardhurave për kokë banori dhe një ulje prej 35 përqind të shkallës së varfërisë”. Këtë të vërtetë tani po e pranojnë majtistët në pushtet. Pra, pavarësisht sfidave, Kosova qenka zhvilluar nga “regjimet e kaluara” e jo varfëruar, siç bëjnë propagandë mashtruesit”, deklaroi ndër të tjera Hoti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lidhur me këtë, ka reaguar edhe bashkëpartiakja e Hotit, Hykmete Bajrami, duke e cilësuar një gjë të tillë propagandë dhe duke vlerësuar negative raportet për qeverisjen aktuale.

    “Se sa zhvillim po bën qeveria mjafton të shihni raportet e vetë Qeverisë. Raporti financiar i tremujorit të parë të këtij viti thotë se qeveria ka shpenzuar mbi 207 milionë euro për subvencione dhe vetëm 40 milionë euro për investime kapitale”, tha ish-ministrja Bajrami.

    Në anën tjetër, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo ose po bëhet nga mos-dija ose qëllimisht.

    “Ose nuk po dinë t’i lexojnë raportet ndërkombëtare, ose qëllimshëm po i shtrembërojnë ato. Cilado qoftë, dhimbshëm”, deklaroi ajo, duke iu referuar deklaratës së Kurtit për raportin e Bankës Botërore.

    Kurti përgjatë ditës shpërndarë raportin e Bankës Botërore, sipas të cilës në 10 vitet e fundit në Kosovë përqindja e papunësisë ka rënë për 35 për qind.

    Kryeministri ka thënë se “krahasuar me 10 vjet më parë Kosova ka rritur të ardhurat për kokë banori për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%”.

    Në komunikatën e këtij institucioni financiar përmendet si shqetësim papunësia dhe varfëria, që sipas tyre mbeten në nivel të lartë.

    “Ajo [Kosova] ka kaluar me sukses nga një model rritjeje i bazuar në varësinë e lartë nga të hyrat e vendeve të huaja, duke tejkaluar vendet homologe me të ardhura të ngjashme për kokë banori falë një zgjerimi të vazhdueshëm të konsumit dhe investimeve, si dhe një shtysë të fortë nga flukset e diasporës, investimet publike në infrastrukturë, në kushte të qëndrueshme fiskale dhe një mjedisi me inflacion të ulët. Megjithatë, pavarësisht një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta”, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore. /Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark