Policia në Prizren ka ndaluar një 22-vjeçar nga Peja, i cili gjatë kontrollit është kapur i armatosur me pistoletë dhe thikë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 të së dielës, teksa zyrtarët policorë po kryenin patrullim rutinë në qytet. Gjatë patrullës, ata kanë ndaluar një automjet në të cilin ndodheshin katër persona. Gjatë kontrollit, te 22-vjeçari janë gjetur pistoleta dhe thika, të cilat janë konfiskuar nga policia.
I dyshuari më pas është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Për rastin janë njoftuar hetuesi kujdestar, njësiti i krim-teknikës dhe prokurori kujdestar.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.