×
  • Lajme
  • Lajme

    25 vite burg ndaj të akuzuarit për vrasjen e nënës së tij në mënyrë mizore në Pejë

    Insajderi
    27 May 2024 - 11:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 25 vite burgim Urim Hyseni, i cili akuzohej  për vrasjen e nënës së tij në mënyrë mizore.

    Shpallja e këtij aktgjykimi është bërë të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova. Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 14 prill 2023, e tutje, konform neni 35 par.1 të KPRK-së.

    Gjykata të akuzuarit Hyseni krahas dënimit i shqiptoi edhe masën e trajtimit të paraburgimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim të Institucionit të Kujdesit Shëndetësor e cila masë do të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.

    Gjyqtarja Husaj-Rugova, tha se masa e trajtimit të detyrueshëm do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur më 9 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Urim Hyseni më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale. Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kyen vrasjen e viktimës.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer vepën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar 1.3 e 1.4, lidhur me nenin 18, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me burg prej 10 vitesh deri në burgim të përjetshëm. Neni 18, paragrafi 2  dhe paragrafi 1 shpjegojnë se personi që ka paaftësi mendore dhe aftësi të zvogëluar mendore konsiderohet penalisht përgjegjës, por këto rrethana merren parasysh nga gjykata kur vendos për kohëzgjatjen dhe llojin e sanksionit ose masës së trajtimit të detyrueshëm.

    Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë. Më 11 maj i ishte vazhduar  edhe për dy muaj paraburgimi Hysenit. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark