3 mënyra për të çelur në shtëpi ngjyrën e flokëve në mënyrë natyrale, të aprovuara nga parukierët - Insajderi
×
LifeStyle

3 mënyra për të çelur në shtëpi ngjyrën e flokëve në mënyrë natyrale, të aprovuara nga parukierët

Insajderi
16 April 2020 - 17:42
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ndërkohë që prej më shumë se një muaji vijon izolimi për të frenuar përhapjen e COVID-19, përveç personave më të dashur si familja apo shoqëria e ngushtë, një prej personave që na mungon më shumë është padyshim dhe parukierja.

Kjo vlen veçanërisht për ato që takimin e radhës po e shtynin nga dita në ditë, pa e ditur se do të mbylleshim për kaq gjatë në shtëpi.

Megjithatë, interneti përgjatë këtyre javëve na ka furnizuar me informacione të panumërta për kujdesin ndaj flokëve në kushtë shtëpie, duke filluar nga maskat, tek prerja e tyre dhe lyerja.

Por teksa përdorimi i bojës për të çelur ngjyrën e flokëve mund të jetë pak si shumë i guximshëm për shumë si ne që nuk kanë eksperiencë në këtë punë, ka metoda alternative me produkte që gjenden lehtësisht në shtëpi dhe që nuk përbëjnë rrezik ër të bërë ndonjë katrahurë. Më poshtë, gjeni 3 metoda natyrale për të çelur gradualisht ngjyrën e flokëve, të aprovuara nga parukierët.

Lëngu i limonit

Një nga hilet më të vjetra për flokë që duken si të zverdhur nga dielli. Aciditeti i limonit lejon çeljen e ngjyrës duke ndryshuar nivelin e pH-it të flokëve, megjithatë kërkon pak nxehtësi për të ndihmuar hapjen e kutikulave dhe për të dhënë një efekt më të dukshëm, ndaj bëni gati SPF-në dhe merrni disa rreze dielli në oraret e sigurta. Shtrydhni lëngun e limonit në një shishe spray dhe sprucojeni atë në flokë për të krijuar fije natyrale dhe kujdes të mos e aplikoni në lëkurë. Kjo teknikë funksionon më së shumti në flokë që anojnë më tepër në nuancat e bjondes.

Uthulla: Të shpëlash flokët pas larjes me uthull molle është e këshillueshme për shëndetin e tyre, por mbase nuk e dinit se përdorimi i tepruar i uthullës së mollës mund të japë efektin e dekoloruesit. Megjithatë, kjo metodë nuk është për këdo, pasi në flokë të rrallë e të dëmtuar mund të shkaktojë dëme. Për vajzat me flokë të shëndetshëm, këshillohet që uthulla e mollës të tretet në ujë në raportin 50/50 dhe për vajzat që kanë flokë të errët, për të shmangur një rezultat portokalli, këshillohet uthulla e bardhë.

Mjalti: Përbërësi kryesor i mjaltit që vepron mbi flokët tanë është një enzimë e quajtur glukozë oksidaza. Kur mjaltit i shtohet ujë, kjo enzimë gjeneron peroksid hidrogjeni, duke e shndërruar mjaltin në një zbardhues dhe i kombinuar me erëza si kanella apo kardamomi, fuqia zbardhuese shtohet. Mjalti me erëzat aplikohet në flokë të lagur të cilët më pas duhen kapur topuz dhe të mbulohen me një skufje dushi. Në varësi të efektit të dëshiruar, përbërja mbahet në flokë nga 1-4 orë. Edhe në këtë rast, nzxehtësia ndihmon në përshpejtimin e procesit ndaj mund të përdorni herë pas here tharësen, duke bërë kujdes të mos shkrini skufjen.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark