“Vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material gjegjësisht shuma 30 mijë euro, të cilët të akuzuarit kanë besu se tani i ndjeri Bedri Rexhepi i posedonte, për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutu”, kështu ka deklaruar Prokurori Armend Hamiti, për rastin e rëndë të vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.
Prokurori Armend Hamiti nëpërmes konferencës për media e konfirmoi se trupi që është gjetur para disa ditësh në malet e Novobërdës ishte i Bedri Rexhepit, shkruan Insajderi.
Sipas tij, lidhur më këtë rast tashmë është ngritur aktakuzë ndaj dy personave – Jeton dhe Nexhat Vllasaliut.
Hamiti, ka thënë po ashtu se dje gjatë ditës ka njoftuar familjen se eshtrat e gjetura më 30 shtator janë të Bedri Rexhepit.
Ai në këtë përfundim ka arritur pas të gjitha analizave të nevojshme.
“Pas hetimit, sigurimit të të gjitha provave dhe dëshmive, kam arritur të vërtetojë dyshimin mirë të bazuar dhe kam ngritur aktakuzë ndaj dy personave: Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprës penale ‘vrasja e rëndë në bashkëkryerje’ dhe ‘dëmtimi i varreve apo kufomave”, ka thënë prokurori Armend Hamiti, shkruan Gazeta Insajderi.
Bedri Rexhepi ishte raportuar i zhdukur që nga 8 prilli 2021.
Një vit e gjysmë pas, më 30 shtator të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka gjetur disa mbetje mortore të dekompozuara, të cilat dyshohet se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” të biznesmenit Bedri Rexhepi. /Gazeta Insajderi