Një javë para se Drenasi të vendosë përfundimisht përmes balotazhit për kryetarin e ri të komunës, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ka dhënë një arsyetim përse ai nuk fitoi qysh në raundin e parë.
Sipas tij, fakti që në këto zgjedhjet e 4 dhjetorit kandiduan tetë persona për të parin e Drenasit, përfshirë edhe dy kandidatë të pavarur që u tërhoqën për ta mbështetur atë, ka ndikuar në rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve.
Njëri nga këta kandidatë të tërhequr, ishte Naim Bazaj, i cili bëri aktin e tërheqjes nga gara pikërisht në ditën kur e kishte thirrur elektoratin për ta shpallur kandidaturën e pavarur. Përkundër kësaj, Bazaj kishte mbetur në fletën e votimit si kandidat.
E pikërisht kjo, ka bërë që Lladrovci të arsyetojë humbjen e tij.
Duke folur për emisionin “Zona Express” në RTV Dukagjini, Lladrovci përmend një numër prej 300 votash, që sipas tij kanë shkuar për Naim Bazajn. Por, sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të publikuara të hënën e 5 dhjetorit, Bazaj ka pasur vetëm 27 vota në tërësi.
“Ne kemi qenë tetë kandidatë në listë. Për shembull te miku im, shoku im, Naim Bazaj, janë djegur 300 vota në Tërstenik, në numrin e tij. Tetë kandidatë asnjëherë Drenasi nuk i ka pasur”, ka thënë Lladrovci.
Tërsteniku është vendlindja e Bazajt, aty ku një natë para zgjedhjeve të 4 dhjetorit, krerët e PDK-së ishin mbledhur për ta festuar fitoren e munguar, madje edhe me të shtëna armësh e muzikë folklorike.
Lladrovci, e as kabineti i tij nuk kanë sqaruar deklaratën që ai dha ditë më parë në një dokumentar të shfaqur në televizionin Dukagjini.
Berisha thotë se kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit i pranon rezultatet e KQZ-së, derisa potencon se Lladrovci ka dhënë informacion të pasaktë kur fliste për “300 votat e Bazajt në fshatin Tërstenik”.
“Sigurisht nga terreni kemi pas informacione të tilla, edhe thirremi me terrenin. Megjithatë, rezultatet e KQZ-së janë zyrtare dhe janë të pranueshme për në. Nuk jemi të interesuar me nxjerrë diçka ku nuk ka materie dhe nuk ka asgjë“, ka thënë Berisha, i cili megjithatë nuk arrin të japë një shpjegim të qartë rreth deklaratës së Lladrovcit.
Megjithatë, Insajderi ka kërkuar sqarime nga KQZ-ja nëse ka diçka të vërtetë pas deklaratës së Lladrovcit. I kontaktuar nga gazeta, përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, thotë se nuk ka informacion rreth këtyre deklaratave.
Ai thotë se informacionet e vetme që ai ka, janë ato zyrtare, tashmë të publikuara nga KQZ-ja.
“Nuk e kam pa deklaratën e zotit Lladrovci. Ne rezultatet për kandidatë i kemi shpallë dhe nuk kemi rezultat tjetër, dhe nuk mundem të komentojë më tepër se çfarë ka thënë zotëri Lladrovci. Nuk mundem me e dhanë një përgjigje për një gjë që nuk e di se çfarë është duke u bërë fjalë”
Rezultatet zyrtare të KQZ-së në vendvotimin e fshatit Tërstenik tregojnë se ky vendvotim karakterizohej me më së shumti vota të pavlefshme. Plot 37 vota janë shpallur të pavlefshme në këtë vendvotim.
Ndërsa, bie në sy se në të gjitha vendvotimet e tjera, ka pasur dallim të madh në vota të pavlefshme krahasuar me ato të Tërstenikut.
Sipas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Drenas, Ramiz Lladrovci arriti të fitoi 9,458 vota apo 45,34 për qind të votave, ndërsa Naim Bazaj vetëm 27 vota, e që në përqindje kthehet në 0,13%.
Pas Lladrovcit, me 5,462 vota u rendit kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj, i cili do të jetë kundërshtari i Lladrovcit në balotazh.
Balotazhi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në Komunën e Drenasit do të zhvillohet më 18 dhjetor të këtij viti. /Insajderi.com