Pak kilometra larg qendrës së Fushë Kosovës, është një lagje në të cilën nuk ka kushte elementare për banim. Kur kësaj i shtohet varfëria ekstreme dhe pamundësia për të gjetur një punë, gjërat përkeqësohen edhe më.
Krejt këtë gjendje të tmerrshme, e ndjejnë në lëkurën e tyre banorët e kësaj lagje të quajtur “Lagja 28”.
Halit Buqolli, 28 vjeçar është një nga këta banorë. Por kushtet ekonomike janë vetëm një nga problemet bazike të këtij komuniteti.
Rrëfimi i Buqollit shpërfaqë realitetin racist me të cilin përballet komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.
Madje sipas tij, fëmijët e tyre injorohen dhe fyhen edhe nga nxënësit dhe drejtuesit e shkollave në Kosovë.
“Në shkollë më kanë thanë merre djalin në shtëpi se është i papastër. Ma kanë kesh djalin, i kanë thanë djali është me morra e po i vjen era e keqe”, ka thënë Buqolli.
Për të si baba, kjo ka qenë tepër e rëndë. Por thotë se nuk ka çfarë të bëjë, se ndihet i pa fuqishëm, që me 70 euro sa merr asistencë sociale t’i ofroj kushte më të mira për arsimim.
“Me 50 euro e paguaj qiranë, prej 70 euro që i marrë social. Nuk më dalin kurgjo. Neve na kanë injoru na kanë qitë për dere përjashta edhe kanë thënë juve po ju vjen era e keqe kur kemi shku me lyp punë’’, thotë ai.
Drejtoresha e shkollës fillore “Selman Riza”, në Fushë Kosovë, Remzije Bokujevci, mohon se nxënësit e këtij komuniteti diskriminohen në baza racore.
“Nuk është e vërtetë që në shkollën tonë kemi përdorë fjalë të tilla. Ata trajtohen njëjtë si çdo nxënës tjetër”, deklaroi Bokujevci.
Një jetë pothuajse të njëjtë bënë edhe 21 vjeçari, Yllian Krasniqi, nga lagjja “Bruksel” në Fushë Kosovë.
Ai thotë se është i papunë edhe pse aplikon vazhdimisht aty ku ka vende të lira të punës.
“Kur kemi shku me kërku punë tek zyra për punësim na kanë prit mirë, na i kanë marrë të dhënat e na kanë thënë se nuk ka punë, kur të ketë punë ju thërrasim, me pas punë, punoj, po tash që nuk ka punë rri në shtëpi”, ka thënë ai.
Me sfida të njëjta përballet edhe Vedet Hoti. Jeta sipas tij, karakterizohet me varfëri dhe probleme të shumta për jetesë.
“Kushtet i kemi shumë të këqija, pa punë pa kurgjo, tanë ditën në shtëpi tu nejt. Kam tentu me punu në Komunë të Fushë Kosovës ata kanë thënë se ju thërrasim gjatë këtij muaji dhe ende nuk po na thirrin”, tha Hoti.
Ndërkohë Abaz Xhigolli, drejtor i Qendrës për punë sociale në Fushë Kosovë, ka thënë se mbi 300 familje të komunitetit RAE, janë përfitues të skemës sociale.
“Aktualisht numri i përfitimit të ndihmës sociale në komunën tonë janë 707 familje, prej tyre 370 familje minoritare ku udhëheqin Ashkalitë, Romët, Serbët, Goranët, Boshnjakët dhe Egjiptasit me numër më të vogël’’, ka thënë Xhigolli, raporton Insajderi.com
Ai thekson se ky komunitet është ndihmuar edhe për punësim, dhe i thërrasin atëherë kur ka punë.
“Ne kemi ndihmuar edhe me punësim edhe kur është hapur ndonjë ndonjë mundësi punësim i kemi marrë i kemi punësuar, dhe përderisa janë të punësuar asistenca sociale ju ndalet dhe atëherë kur të përfundon sezona e punës, personi përsëri mund ta merr asistencën sociale” tha Xhigolli.
Por kryetari i shoqatës “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” (VORAE), Isak Skenderi, ka bërë të ditur se ky komunitet numëron mbi 30 mijë banorë.
“ 35 mijë banorë është numri i komunitetit sipas regjistrimeve të fundit, megjithëse disa nga ta nuk kanë pranuar te regjistrohen numri i këtij komuniteti mundë të shkojë deri në 50 mijë” tha Skenderi.
Ditë më parë komuniteti RAE, protestoi para Qeverisë së Kosovës për të drejtat e tyre për punë dhe mirëqenie me moton “Dua Punë”.