×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    4 ditë me barrikadat që mbyllën rrugët drejt dy pikave kufitare në veri të Mitrovicës – Policia, KFOR e EULEX të stacionuara në këtë pjesë të Kosovës

    Insajderi
    13 December 2022 - 15:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Që nga 7 dhjetori orari i zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga 8 orë është bërë 12 orë. Një numër i madh i tyre është dërguar në Mitrovicën e Veriut atje ku bashkë me zyrtarë të KFOR-it e EULEX-it po kujdesen për sigurinë e banorëve. Por, ka katër ditë që situate është tensionuar pasi që banorët serbë kanë vendosur barrikada derisa në vazhdimësi janë dëgjuar shpërthime, përfshirë edhe sulme ndaj policisë. Organet e rendit e konfirmuan se edhe sot rrugët janë të bllokuara nga barrikadat ndërsa dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim të njerëzve dhe mallrave

    Tash e katër ditë situata në veri të Kosovës, ka marrë vëmendjen e shtuar jo vetëm të dy qeverive në Kosovë e Serbi por edhe të bashkësisë ndërkombëtare, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kamion e mjete te tjera të rënda janë vendosur në rrugë nga banorët serb për të penguar qarkullimin e lirë në rrugët në Mitrovicën Veriore. Ndërsa dy pikat kufitare ajo e Jarinjës e Bërnjakut u mbyllën nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    Ndërsa sulme të vazhdueshme ndaj policisë së Kosovës, me 7 dhjetor rriti numrin e pjesëtarëve në këtë pjesë të vendit, duke mos kursyer as gazetarët që janë duke raportuar nga atje.

    Nga dita e hënë shkollat janë mbyllur, e banorët serbë në disa vende janë parë të pranishme pranë barrikadave.

    Gazetarë të Insajderit sjellin pamje nga Mitrovica në Veri. Përveç policisë së Kosovës për sigurinë janë duke u kujdesur edhe pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it.

    Ndërkaq Policia e Kosovë ka njoftuar se Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë të mbyllura pasi që sipas policisë grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave.

    “Situata e sigurisë në veri të vendit edhe sot vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura tanimë për arsye të njohura, pasi që grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

    Organet e rendit po ashtu, njoftojnë se me kohë ndërmerr masat e sigurisë, masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë.

    “Pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve të raportuara ndaj personelit të sigurisë, personelit monitorues ndërkombëtar dhe mediave, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet vigjilente dhe e angazhuar në nivelin dhe moralin më të lartë të kryerjes së detyrave kushtetuese dhe ligjore, në interes të sigurisë së përgjithshme”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.

    Zhvillimet që i paraprinë vendosjes së barrikadave

    Banorët serb në këtë pjesë të vendit kanë vendosur barrikada në rrugë që nga dita e shtunë, menjëherë pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve. Ndaj tij të hënën u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave veriore, Presidentja Vjosa Osmani pas koordinimit me partitë politike në vend pati caktuar, 18 dhjetor ditën e zgjedhjeve për kryetar komunash ndërsa me 25 dhjetor për asambletë komunale, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por Lista Serbe dhe banorët atje patën kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve.

    Militantëve serbë, bënin rezistencë për të mos lejuar jo organizimin e zgjedhjeve komunale por nuk lejuan as anëtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor të kryejnë punën e tyre. Me 6 dhjetor madje sulmuan zyret e KQZ-së me mjete shpërthyese.

    Në këtë pjesë të Kosovës, në vazhdimësi pas 6 dhjetorit dëgjoheshin shpërthime. Ndërsa Qeveria e Kosovës, vendosi të dërgojë një numër të shtuar të zyrtarëve policor në këtë pjesë për sigurinë e të gjithë banorëve.

    I dyshuar për organizimin e sulmit ndaj zyrave të KQZ-së ishte ish-polici serb i Kosovës,  Dejan Pantiq. Ai u arrestua nga Policia e Kosovës, të shtunën në pikë kalimin kufitar në Jarinje.

    Menjëherë u ndezën sirenat në këtë pjesë të vendit dhe banorët serb nisën ngritjen e barrikadave.

    Pas tensioneve në veri të vendit të dielën u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

    Kryeministri Albin Kurti pas kësaj mbledhje deklaroi se Serbia nuk po e fsheh se po kërkon rikthimin në Kosovë. Sipas tij, në esencë Serbia po kërkon luftë.

    “Serbia nuk po e fsheh se po kërkon rikthim në Kosovë, në esencë po kërkon luftën që e humbi dhe kapitullimin e pranoi asokohe në Kumanovë, qershor 1999. Mohimi i shtetit tonë dhe pavarësisë tonë nga ana e Serbisë përbën kërcënim të vazhdueshëm për shtetin tonë”, tha Kurti.

    Tutje, Kurti tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëpunim me serbët.

    “Qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëpunim me serbet. Ne jemi qeveria me demokratike dhe progresiste. Duam që serbet të marrin pozitën që ju takon”, tha Kurti.

    Kryeministri Kurti, madje ka kërkuar nga KFOR-i të sigurojë lirinë e lëvizjes, por se përfaqësuesit e këtij misioni ndërkombëtar kanë kërkuar kohë për heqjen e barrikadave.

    KFOR: Çështja e situatës në veri të zgjidhet në mënyrë paqësore

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR edhe sot ka ripërsëritur se rruga e vetme për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja e problemeve me dialog, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve.

    “Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri [i situatës] dhe çështja të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse dhuna nuk ka vend në rajon”, tha KFOR-i në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook.

    Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, më 15 dhjetor, do t’i dërgojë një kërkesë KFOR-it për vendosjen e 1.000 trupave serbe në territorin e Kosovës, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

    KFOR-i nuk ka komentuar këtë paralajmërim. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark