
Komuna e Podujevës ka ndarë afro 400 mijë euro për ndërtimin e një salle sporti në një fshat të saj. Me tender është shpërblyer kompania e Shaip Shabanit, biznesmenit që njihet si dost i kryetarit Shpejtim Bulliqi. Shabani ishte parë në shoqëri me Bulliqin gjatë një ndeje me mish e birra. E për mundësinë e ndonjë konfliktit interesi nga komuna nuk janë përgjigjur Insajderi sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Me 18 shtator, komuna e Podujevës ka nënshkruar kontratë për “Ndërtimin e sallës së sporteve në fshatin Gllamnik”.
Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 350,000 euro.
Për këtë tender kishte konkurruar vetëm një kompani, e cila edhe është shpallur fituese.
“Konstruktori ING 1969 Sh.p.k”, është shpërblyer me tender, me vlerën prej 384.996.79 euro.
Kush është kompania fituese “Konstruktori ING 1969”?
Pronar i kompanisë fituese ‘Konstruktori ING 1969” është biznesmeni Shaip Shabani.
Gazeta Insajderi ka raportuar edhe më parë për Shaip Shabani, dhe tender të fituar nga pushteti i Shpejtim Bulliqit në Podujevë.
Shabani ishte parë gjatë një ‘neje’ në një tavolinë me kryetarin Shpejtim Bulliqi.
Sipas videos që pati siguruar Insajderi, dukej se Shpejtim Bulliqi dhe Shaip Shabani kanë shoqëri të mirë me njëri-tjetrin.
Nuk dihet se për çka ishin mbledhur, por po festonin me muzikë live, mish e birra.
Vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që Bulliqi i shpërblen me tenderë dostat e tij.
Gazeta Insajderi tash e një javë ka dërguar pyetje në komunën e Podujevës, lidhur me këtë tender, se a ka pas ndonjë konflikt interesi, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
/Insajderi.org