Furnizimi i shkollave me dru e pelet- në mes të dhjetorit komuna e Shpejtim Bulliqi nënshkruan dy tender të negociuar brenda dite – Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Furnizimi i shkollave me dru e pelet- në mes të dhjetorit komuna e Shpejtim Bulliqi nënshkruan dy tender të negociuar brenda dite

    Insajderi
    19 December 2024 - 14:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Podujevën e Shpejtim Bulliqit gjysma e nëntorit e kishte zënë pa furnizim me dru dhe pelet për shkolla. Pasi nuk u arrit që të nënshkruhej kontrata, komuna ishte furnizuar me thëngjill. Vendim ky që u kritikua për ndotjen e ajrit. Mirëpo, tani, në mesin e dhjetorit, komuna ka nënshkruar dy kontrata të negociuara për tu furnizuar me lëndë djegëse. Njëra afro 70 mijë e tjetra afro 40 mijë euro. Insajderi ju sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Ka muaj që ishte raportuar për telashe me furnizimin me dru e pelet në shkollat e komunës së Podujevës. Kontrata ishte hapur që nga tetori i këtij viti. Mirëpo komuna nuk kishte arritur të arrijë marrëveshje me asnjë kompani për furnizim me lëndë djegëse, dru dhe pelet.

    Para tri jave ishte marrë vendim, që shkollat të furnizohen me thëngjill. Gjë e cila ishte kritikuar mjaft shumë nga opozita, e banorë të kësaj komune, për shkak të ndotjes së ajrit.

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte njoftuar se Bordi i saj ka miratuar propozimin e menaxhmentit për ndarjen e një sasie të thëngjillit për shkollat e komunës së Podujevës.

    Sipas këtij vendimi, KEK kishte ndarë 1200 tonë thëngjill për të ndihmuar institucionet arsimore, duke siguruar ngrohjen e 29 shkollave të komunës së Podujevës për gjatë sezonit dimëror.

    Mirëpo si duket problemi i ngrohjes nuk u zgjedh me thëngjill.

    Para dy ditëve, me 17 dhjetor komuna e Podujevës ka nënshkruar dy kontrata të negociuara për “furnizim me lëndë djegëse, dru dhe pelet”.

    Kontrata për furnizim me pelet është nënshkruar në mënyrë të negociuar me kompaninë “Liria SH.P.K”.

    Çmimi i përgjithshëm i kësaj kontrate është 69 mijë e 940 euro.

    Edhe kontrata për furnizim me dru është nënshkruar në mënyrë të negociuar.

    Fituese e tenderit është zgjedhur kompania N.T.SH Qamili, e cila është shpërblyer me 39 mijë e 040.30 euro.

    Kontratat njëburimore janë ngritur si problem për diskutim nga organizatat e shoqërisë civile që e monitorojnë prokurimin publik.

    Kontratat e tilla janë formë e kritikuar si e dyshimtë e korruptive.

    Ani pse, kontratat njëburimore mund të lidhen sipas Ligjit të Prokurimit Publik por duhet të plotësohen disa kushte.

    Ndër këto kushte sipas nenit 35 janë: Në raste emergjente kur nuk ka kohë për të ndjekur procedurat e zakonshme ose kur ekzistojnë arsye të veçanta teknike ose artistike që justifikojnë përzgjedhjen e një ofruesi të veçantë.

    “Nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori të caktuar ekonomik; Nëse, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale apo të drejtave ekskluzive, kontrata mund t’i ipet vetëm një operatori të caktuar ekonomik;

    Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj.”, thotë ligji. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    21 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark