Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar Hetimet Rajonale – Jug dhe Veri të Policisë së Kosovës që të intervistojnë gjithsej 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nën dyshimet për manipulim të numërimit të votave gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit për media, intervistimet po zhvillohen në kuadër të hetimeve që lidhen me dyshime për parregullsi në procesin e numërimit të votave në këto komuna. Prokuroria nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me natyrën e dyshimeve apo fazën aktuale të hetimeve.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Hetimet, sipas autoriteteve, do të zhvillohen në përputhje me procedurat ligjore dhe paanshmërinë e institucioneve përgjegjëse.