Shkruan: Parim Olluri
Kënaqësi dhe Stres – Pak a shumë kështu, këto fjalë e përkufizojnë rrugëtimin pesë vjeçar të Insajderit.
Nuk e patëm fatin që një investim multimilionësh, siç është duke ndodhur në shumicën e mediave, të bënte më të lehtë suksesin tonë. Insajderi nisi si një ndërmarrje krejtësisht e vogël dhe e papërfillshme, në shkurtin e vitit 2016.
Në një zyre të vogël e të papërshtatshme për punë. Nuk merreshim seriozisht nga askush. Pakkush e besonte se do të kemi sukses.
Tash pas pesë viteve, situata në terren është ndryshe. Merremi seriozisht nga shumëkush.
E nisëm me “Dosja e Shefave”, një hulumtim që shpërfaqi korrupsionin në nivele të larta të politikës kosovare.
Shumëkush besonte atëkohe se ne i përgjojmë njerëzit. E vërteta ishte ndryshe: Njerëzit besonin se jemi të vetmit që jemi të pakorruptuar dhe që nuk frikësohemi për të publikuar materiale sensitive.
E vazhduam me “Dosja Grande”, një tjetër rast ku përgjimet shpërfaqnin një rrjet të korrupsionit e krimit të organizuar.
Pastaj, nuk u ndalëm më.
Insajderi u bë adresa e vetme ku mafiozët nuk cekeshin vetëm me iniciale kur plagosnin e vranin njerëz.
Ne i kemi publikuar dhe e kemi guximin që t’i publikojmë me emra të plotë. Ky guxim na ka kushtuar shumë. Jemi kërcënuar gjatë tërë kohës. Jemi sharë e fyer. Madje, edhe jemi rrahur fizikisht.
Por, nuk jemi dorëzuar.
Kërcënimet e rrahjet shpeshherë e kanë bërë zyrën e Insajderit, një ambient të frikshëm për të punuar. Shpeshherë ka pasur me shumë policë te dera e hyrjës së Insajderit, se sa gazetarë brenda duke shkruar lajme.
Këto situata gjithmonë kanë stresuar ekipin tonë, por ka qenë edhe kënaqësi. Situata të tilla na kanë dëshmuar se jemi duke e bërë një punë tejet të rëndësishme. Motivi ka qenë më i madh se frika. Ky motiv ka bërë që të dështojnë kërcënimet e orkestrimet e grupeve kriminale që kanë synuar shkatërrimin e Insajderit.
Nuk ia kanë dalur dhe nuk do t’ia dalin asnjëherë. Sepse përballë kanë një grup gazetarësh të Insajderit që kanë luftuar dhe luftojnë si “Luana” për mbrojtjen e Insajderin.