50 për qind e nxënësve thonë se ngacmohen nga mësimdhënësit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    50 për qind e nxënësve thonë se ngacmohen nga mësimdhënësit

    Insajderi
    07 November 2022 - 17:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    15 për qind e nxënësve në Prishtinë kanë raportuar se së paku disa nga mësimdhënësit përdorin dhunë fizike ndaj nxënësve të tyre, ndërsa rreth 35 për qind e nxënësve raportuan se të paktën disa nga mësimdhënësit ngacmojnë nxënësit seksualisht. Kurse, mbi 50 për qind raportuan se të paktën disa mësimdhënës i ngacmojnë nxënësit. Përveç kësaj, rreth 85 për qind e nxënësve thonë se nuk ka psikolog të punësuar në shkollë dhe rreth 40 për qind e tyre thonë se nuk kanë bibliotekë në shkollë.

    Kështu u tha në raportin e publikuar “Cilësia në arsim në komunën e Prishtinës”, perceptimi i nxënësve të shkollimit të mesëm të lartë mbi përmbajtjen, procesin dhe mjedisin mësimor”.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati tha se është shumë e rëndësishme bashkëpunimi me Këshillin e Nxënësve, pasi si politikbërës i duhet një lloj bashkëpunimi, i cili do te prodhojë rezultate më të mira në arsim.

    Musmurati tha se për herë të parë është rritur buxheti për investime në infrastrukturë, në të cilin përfshihet rinovimi i të gjitha shkollave në këtë komunë.

    “Do të punojmë bashkë me Këshillin e Nxënësve dhe Këshillin e Prindërve që edhe termat e referencës dhe detyrat e punës të psikologëve t’i rividojmë në mënyrë që edhe ato të jenë më të kohës dhe të kemi një mundësi që bashkë me ta të zhvillojmë module të reja të cilat e kanë nxënësin në qendër. Po ashtu, për herë të parë në Komunën e Prishtinës e kemi rrit buxhetin për investime për infrastrukturë në 1.6 milionë për vitin e ardhshëm, ku do të rinovojmë komplet shkolla, qoftë fillore apo të mesme, për shkak se infrastruktura në shkolla mungon…

    “Synojmë që ta rrisim transparencën dhe këtë e kemi bërë përmes angazhimit të ambasadës britanike në procesin e rekrutimit të drejtoreve dhe të zv.drejtorëve, pasi këta janë dy akter kyç të cilët duhet të jenë të zgjedhur në bazë meritore, andaj edhe e kemi ftuar ambasadën britanike që të na ndihmojë rreth procesit të rekrutimit… Po punojmë në digjitalizim, për vitin e ardhshëm edhe në digjitalizim i kemi të ndara gjysmë milionë euro për të filluar procesin e digjitalizimit, qoftë në mësimdhënie por edhe të menaxhimit të shkollës”, tha Musmurati.

    Musmurati shtoi se gjatë këtij mandati do të fuqizojnë rolin e këshillit të nxënësve dhe rolin e këshillit të prindërve.

    Përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve për Komunën e Prishtinës, Diana Metushi-Krasniqi, ka treguar disa shqetësime të prindërve, derisa tha se shqetësimi më i madh që kanë prindërit, është siguria në shkolla.

    “Ndër sfidat dhe shqetësimet kryesore të prindërve që vinë në këshillin e prindërve kanë të bëjnë me sigurinë e fëmijëve të tyre kur janë në objektet e shkollës, respektivisht problemet që kanë të bëjnë me sfidat psiko fizike, bullizmin. Fatkeqësisht jetojmë në një rreth ku lufta për dominancë nganjëherë nuk shpërfaqet apo nuk luftohet si një luftë e drejtë, gjithmonë duke u munduar me ngrit vetën në ulje të tjetrit dhe jo në bashkëpunim. Pastaj është edhe dhuna fizike, ku jo vetëm të shkollat e nivelit të mesëm të lartë por e kemi shqetësim edhe nga prindërit e shkollave të mesme të ultë të ekspozimit të mundshëm ndaj përdorimit të narkotikeve, përfshirjes në shoqëri me sjellje devijante, dhe nëse fëmijët tanë nuk e kanë sigurinë, asgjë tjetër nuk ka rëndësi”, tha Krasniqi.

    Përfaqësuesi nga Këshilli i Nxënësve, Denis Krasniqi renditi disa nga problemet që hasen në sistemin arsimor. Sipas tij, mbetet shqetësuese mosrespektimi i udhëzimeve administrative dhe ngacmimet seksuale në shkolla.

    “Problemi kryesor që e kemi në shkolla është mos respektimi i udhëzimeve administrative, jo pse nuk kemi edhe aty vend për kritika, pse nuk ka vend për përmirësime, mirëpo është shumë problematike mënyra se si nuk respektohen udhëzimet administrative për çështje të caktuar… Pikë tjetër e shoh ngacmimin seksual, pra nuk dallon asgjë për qindja në nivel vendi me për qindjen në nivel të Prishtinës sa i përket ngacmuesve seksual, të paktën mbi perspektiven e nxënësve se sa përqind të mësimdhënësve që ne njohim janë ngacmues seksual…37:20 Shqetësuese është edhe notimi i nxënësve, 71 për qind e nxënësve të cilët janë pyetur kanë thënë se notohen veç prej një burimi”, tha Krasniqi.

    Paneli i diskutimit “Cilësia në Arsim”, u organizua nga Organizata Qendra për Arsim e Kosovës-KEC dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës-KYC.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark