×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Çfarë e mposht korrupsionin?

    Insajderi
    21 February 2016 - 09:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Lucy P. Markus

    Lucy

    Korrupsioni është një fatkeqësi globale, ndonjëherë i rrënjosur kaq thellë në disa shtete, saqë luftimi i tij duket i pamundur. Në janar, Transparency International publikoi Indeksin e përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit, duke vërejtur se problemi mbetet “një plagë kudo përreth botës”

    Fondi Monetar Ndërkombëtar, për shembull, sapo ka paralajmëruar Ukrainën, se paketa e shpëtimit 40 miliardë dollarëshe, mund të mos jepet, kryesisht prej frikërave se zyrtarët e korruptuar do të vjedhin apo shpërdorojnë fondet. Dhe gjatë vizitës së tij të fundit në Meksikë, Papa Francesku u bëri thirrje udhëheqësve të vendit – shumë prej të cilëve (përfshirë presidentin dhe bashkëshorten e tij) janë të përfshirë në skandale që lidhen me konflikt interesi – që të luftojnë korrupsionin endemik. Por ndryshimi është i mundur, siç e kemi parë në botën e qeverisjes së korporatave gjatë viteve të fundit.

    Jo më larg se një dekadë më parë, kompanitë drejtoheshin prej sallës “së kutisë së zezë”, të kontrolluara nga një grusht njerëzish, autoriteti i të cilëve konsiderohej i paprekshëm. Aktivistët aksionerë që e mendonin ndryshe shiheshin si një bezdi – si ëndërrimtarë që kërkonin të ndreqnin gjërat, por që nuk do të ndryshonin kurrë, asgjë.

    E vetmja gjë që kishte rëndësi, argumentonin “realistët”, ishte rikthimi i investimeve, pavarësisht kostos për njerëzit, planetin apo ekonominë. Realistët gaboheshin. Që nga fillimi i vitit, Warren Buffet i Berkshire Hathaway, dhe CEO i JP Morgan Chase, Jamie Dimon, kanë zhvilluar takime me udhëheqës të tjerë biznesi, për të diskutuar mbi përmirësime të mundshme në qeverisjen e korporatave.

    Në 1 shkurt, Laurence Fink, drejtor ekzekutiv i kompanisë së investimeve BlackRock, u shkruajti një letër disa prej kompanive më të mëdha të botës, në të cilën bënte një paralajmërim të fortë kundër dritëshkurtësisë, dhe kërkonte që kompanitë të hartonin plane strategjikë afatgjatë. Një ditë më vonë, avokati Martin Lipton, një kritik i kahershëm i aktivistëve aksionerë, nxorri një memo me titull “Paradigma e re e Qeverisjes së Korporatës”.

    Lipton pranonte se investitorët aktivë afatgjatë janë këtu për të qëndruar dhe se kompanitë duhet të përmbushin standarte më të lartë mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes, si dhe të vënë më shumë theksin në përgjegjshmërinë sociale të korporatave. Po kështu, fondi sovran social norvegjez shpalli se kompanitë nën portofolin e tij do të jepnin llogari sa i përket të drejtave të njeriut. Dhe gratë, pasi u është thënë që barazia gjinore në borde mund të arrihet brenda një gjenerate, do të përfitojnë prej legjislacionit mbi kuotat, që është miratuar vitin e kaluar në Itali, Gjermani dhe Francë.

    Asgjë prej këtyre nuk ndodhi brenda natës. Ndryshimi po vjen më shpejt tani, por vetëm si rezultat i vrullit të krijuar me kalimin e kohës.

    Bilbilfryrësit nuk detyroheshin të heshtnin, gazetarët investiguan aktorë të këqinj të korporatave, dhe investitorët dhanë llogari për zgjedhjet e tyre. Efekti kumulativ i këtyre, si dhe faktorëve të tjerë, ka sjellë ndryshimin që jo shumë kohë më parë dukej i paimagjinueshëm. Sigurisht, ka ende shumë rrugë për të bërë; askush nuk pretendon që misioni të jetë përmbushur.

    Por procesi i ndryshimit ofron një roadmap në betejën kundër korrupsionit. Ishte një kohë, kur vetëm një grusht OJF-sh shprehnin shqetësimin për korrupsionin, dhe herë pa here, disa gazetarë të guximshëm arrinin të shkruanin, për atë që ata, dhe të tjerë, vinin re.

    Luftimi i korrupsionit dukej si një detyrë Sizifiane, me shumë pak rezultate për të treguar, pas një pune të vështirë dhe të lodhshme. Por ata zëra janë shumëfishuar dhe forcuar, duke u shndërruar në një kor më të fuqishëm. Qeveritë po miratojnë ligje më të fortë, si Ligji kundër Rryshfetit në Britaninë e Madhe në vitin 2010, si dhe mekanizma mbikëqyrës, si Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, që nxisin ligje të tjerë. Kompanitë janë nën trysni për t’iu përmbajtur rregullave kundër korrupsionit, dhe shumë raste të profilit të lartë – që nga skandali i korrupsionit të Walmartit në Meksikë, deri tek ata që janë në shënjestër të antikorrupsionit tani, si Petrobras, Rolls Royce, TeliaSonora dhe FIFA – duhet të nxisin frenimin e fenomenit.

    Po kështu, zyrtarë publikë po paditen. Ish presidenti i Guatemalës, Otto Perez Molina, u detyrua të japë dorëheqjen dhe më pas të burgoset për korrupsion. Kryetari i parlamentit indonezian, Setya Novanto u detyrua gjithashtu të japë dorëheqjen, pasi u kap në përpjekje për të zhvatur para nga kompanië bijë e kompanisë minerare FreeportMcMoRan. Dhe Gjykata Speciale Indoneziane për Krimet e Korrupsionit sapo ka dënuar ish ministrin e energjisë dhe burimeve minerare, Jero Uacik, me katër vite burg. Edhe gazetaria ka luajtur një rol më të madh.

    Gazetarët kanë fituar më shumë njohuri dhe kanë më shumë portale për të shkruajtur artikujt e tyre, duke përfshirë mediat sociale. Dhe ata mbulojnë njerëz që, të gjendur përballë korrupsionit të dukshëm, nuk kanë më ndërmend të heshtin.

    Ky është lloji i vrullit që sinjalizon ndryshim real. Në të vërtetë, shumë zyrtarë qeveritarë po marrin qëndrime parimore. Në Ukrainë, Aivaras Abromavicius, dha dorëheqjen si Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë, duke përmendur pengimin në nivele të lartë, të masave antikorrupsion. Dhe aksionet kundër korrupsionit të zyrtarëve bëjnë dallimin. Shitës të mallrave luksoze nëpër botë, si Prada dhe LVMH, përmendin aktet e miratuar kundër rryshfetit në Kinë, si arsye për rënie të shitjeve. Në fillim të vitit, presidenti Xi JInping deklaroi se ai donte që Kina të jetë një vend “ku askush nuk guxon të jetë i korruptuar”.

    Korrupsioni lulëzon kudo ku pushteti, fshehtësia dhe korrupsioni kombinohen mes tyre. Ai luftohet prej mobilizimit qytetar, transparencës dhe vigjilencës në zbatimin e ligjeve. Ata që e shohin si të vështirë për t’u luftuar, duhet të shohin me kujdes procesin e ngjashëm që ka nisur të transformojë qeverisjen e korporatave. (Project Syndicate)

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark