Rritje e pasigurisë në Evropë në prag të Krishtlindjeve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Rritje e pasigurisë në Evropë në prag të Krishtlindjeve

    Insajderi
    20 December 2016 - 18:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sulmi në tregun e Krishtlindjes, në Berlin, riktheu hijen e frikës në Europë, duke eklipsuar atmosferën festive të fundvitit. Aparatet e sigurisë janë mobilizuar për të garantuar sigurinë në zonat me grumbullime njerëzish, e veçanërisht në tregjet e Krishtlindjes.

    “Scotland Yard” në Britaninë e Madhe njoftoi se do të zbatonte plane të reja të detajuara për mbrojtjen e njerëzve gjatë aktiviteteve publike. Forcat e rendit në Angli po përgatiten edhe kundër kërcënimit të një mjeti të rëndë, që mund të përplasë turmën me shpejtësi të lartë. Niveli i alarmit në Britaninë e Madhe mbetet i rëndë, me probabilitet të lartë për sulm terrorist.

    Alarmi vazhdon të jetë i lartë edhe në Francë, siç bëri të ditur presidenti francez François Hollande.

    “Do të bëjmë të pamundurën për të siguruar të gjitha zonat, përfshirë tregjet e Krishtlindjes. Lufta kundër terrorizmit na përfshin të gjithëve”, tha ai.

    Tregu i Krishtlindjes në “Champs-Elysees” u rihap si zakonisht paraditen e së martës, vetëm se me një numër të madh efektivësh që patrullonin rrugën dhe postblloqe në hyrje të tij. Francezët e kanë ende të freskët tmerrin që shkaktoi sulmi me kamion në ditën e Bastijes, në Nice. Ministri i Brendshëm francez u bëri thirrje qytetarëve të dalin nëpër rrugë e të festojnë, duke i siguruar se po bënin gjithçka për të parandaluar sulme të mundshme. Kjo duket se ka qetësuar disi banorët e turistët.

    “Po ndihem shumë i sigurtë këtu në Paris dhe mendoj se do të kalojmë festa të bukura. Ngjarja e Berlinit nuk duhet të na prishë atmosferën festive”, tha ai.

    Ndërkohë nuk janë ndërmarrë masa shtesë në kryeqytetin belg, Bruksel, me ministrin e Brendshëm belg Jan Jambon që informoi në “Tëitter” se kërcënimi për sulme do të vazhdonte të mbetej në nivelin 3, të një shkalle me 4 të tilla.

    Rreth sheshit ikonë të qytetit, “Grand Place”, dhe tregut më të afërt të Krishtlindjes, kamionët e mallrave vazhdonin rutinën e tyre të përditshme, ndërsa turistët e vendasit dukeshin të qetë. Edhe autoritetet gjermane kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë, por kanë bërë të ditur se nuk do t’i mbyllin tregjet.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark