Sot bëhen tetë vjet nga ndarja nga jeta e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, një prej figurave më të rëndësishme në historinë e sportit në Kosovë.
Me rastin e përvjetorit të tetë të vdekjes së tij, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar kontributin dhe trashëgiminë që Vokrri ka lënë pas, duke theksuar se emri i tij tashmë është bërë pjesë e identitetit të një kombi.
“Ai ishte futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova gjatë viteve të 80-ta dhe që gjatë karrierës së tij e barti me krenari fanellën me numrin 9. E pikërisht më 9 qershor 2018, ai u nda nga jeta, duke e lidhur përgjithmonë këtë numër me emrin dhe trashëgiminë e tij”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Kreu i FFK-së ka theksuar se, edhe pas tetë vitesh nga vdekja e Vokrrit, kujtimet dhe respekti për të mbeten po aq të forta.
“Fadil Vokrri nuk ishte vetëm një golashënues i jashtëzakonshëm dhe një ikonë e futbollit. Ai besoi në ëndrrën e Kosovës kur ajo dukej e paarritshme dhe punoi pa u ndalur për ta bërë realitet”, ka thënë Ademi.
Ai ka rikujtuar edhe arritjet historike të Vokrrit gjatë periudhës kur udhëhiqte futbollin kosovar, duke vënë në pah rolin e tij në proceset më të rëndësishme për sportin në vend.
“Nga sukseset në fushën e blertë deri te udhëheqja e futbollit të Kosovës drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, ai la gjurmë që nuk do të shlyhen kurrë. Numri 9 në fanellën e tij simbolizonte golat, suksesin dhe lidershipin. Data 9 qershor na kujton dhimbjen e humbjes së tij, por edhe përgjegjësinë për ta ruajtur dhe vazhduar rrugën që ai e ndërtoi”, ka shtuar Ademi.
Në fund të mesazhit përkujtimor, Ademi ka theksuar se trashëgimia e Fadil Vokrrit vazhdon të jetojë në futbollin dhe shoqërinë kosovare.
“Fadil Vokrri mbetet më shumë se një emër në historinë e futbollit tonë. Ai është frymëzim, krenari dhe pjesë e përhershme e identitetit të futbollit të Kosovës. Përherë në kujtimet tona. Përherë Legjendë”, përfundon mesazhi i tij.