×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Baca Rexhë dhe Kryeministri

    Insajderi
    08 March 2016 - 11:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Baca Rexhë ishte arkëtari i fshatit për Fondin e 3%-shit . Duhet të kem qenë mes moshës 14 dhe 16 vjeçare, nga mesi i viteve të ’90, kur më kishte rënë të pres në radhë para shtëpisë së bacës Rexhë për me e shly obligimin e 3%-shit. Si shumica e shqiptarëve tjerë të moshës madhore, edhe prindërit e mi shlyenin obligimin prej 3%, si kontribut për mbarëvajtjen e punës së Qeverisë në ekzil, pagesat për arsimin paralel dhe ndihma tjera humanitare.

    Tek dyert e bacës Rexhë, i cili mbante një bllok në formë të paragonit për të shënuar kontributet, isha i treti në radhë. Radha ime për të shlyer obligimin po zvarritej, ngase njëri para meje i kishte rënë në qafë bacës Rexhë duke ju ankuar për praktikat e pa drejta të pagesës. Vëllai i tij, i cili jetonte i vetëm në Gjermani, kurse gruaja dhe fëmijët e tij ishin në Kosovë, ishte ngarkuar që të paguaj 3%-ësh të dyfishtë: pagesën në Gjermani dhe pagesën për familjen në Kosovë. Andaj në emër të vëllait, ai kërkonte që të aplikohej vetëm njëra pagesë: “o këtu, o atje”. Baca Rexhë arsyetohej se këtë praktikë nuk e ka vendosë ai, por i ka ardhur “nga lartë”.

    E ata që ishin lartë në atë kohë, tani janë edhe më lartë. Kurse baca Rexhë vazhdon me u mar me punët e tij, pa u përzi në punë të shtetit.

    Qindra miliona marka ishin mbledhur në këtë formë anembanë Kosovës dhe nga diaspora në të gjitha vendet e botës. Ishte një obligim patriotik, pa ndonjë shtrengesë ligjore. E vetmja shtrëngesë që ekzistonte e që mund të aplikohej në atë kohë ishte presioni shoqëror, ose edhe eventualisht largimi i fëmijëve nga shkollat, prindërit e të cilëve nuk shlyenin këtë obligim. Ndërsa për diasporën nuk ekzistonte as ky shtrëngim. Madje, nuk ishin vetëm shqiptarët nga Kosova ata që i ishin përgjigjur thirrjes për kontribute në Fondin e 3%-shit. Kishte shumë të tillë edhe nga Lugina e Preshevës të cilët vullnetarisht kontribuonin në këtë Fond.

    Në fund të viteve të ’90 u hap një fond tjetër – Fondi Vendlindja Thërret. Kontribuuesit në këtë fond ishin kryesisht nga diaspora, për të financuar kryesisht luftën çlirimtare. Ashtu sikurse në Fondin e 3%, edhe në Fondin Vendlindja Thërret diaspora kontribuoi me miliona euro. Shumica e familjeve vazhdonin të paguanin në në të dy fondet.

    Pak kush e kishte vënë në pikëpyetje gjatë viteve ’90 menaxhimin e drejtë ose jo të Fondit të 3%, e më vonë të Vendlindja Thërret. Këto pikëpyetje u ngritën pas përfundimit të luftës, kur asnjëherë nuk u dhanë llogari për të hyrat dhe shpenzimet nga këto fonde. Shqetësimet më të mëdha u rritën pas raportimeve se përfundimi i luftës kishte gjetur në xhirollogari 50 milionë euro të Fondit të 3% e miliona euro të tjerë në Fondin Vendlindja Thërret. Sipas raportimeve në media, nga këto Fonde ende tërhiqen mjete për pagesa e udhëtime.

    Nga viti 2000, kosovarët tani më janë të shtrënguar ligjërisht që të shlyejna obligimet e tyre ndaj administratës shtetërore. Me tërë këto gjykata, shtrëngesa administrative, polici e detyrime tjera, asnjëherë kosovarët nuk e treguan më atë entuziazëm për të kontribuar në Buxhetin e Kosovës, ashtu siç kishin bërë gjatë viteve të ’90. Arsyet për këtë janë të shumta. Por një ndër arsyet kryesore ishte bindja se ata kishin dhënë shumë, por kishin mar pak nga liderët e tyre.

    Liderët politikë, përveç pagave e mëditjeve (e korrupsionit) të vjela nga privilegjet që i gëzojnë nga Buxheti shtetëror, ata tërhjekin edhe më tej mjete nga fondet e rezistencës. Arsyetimi i diza zyrtarëve të LDK për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i 3% ishte se mbajtja e fondevë në banka jashtë vendit kërkon shpenzime. Secili qytetarë me logjikë të shëndoshë do ta kuptonte se mbajtja e 50 milionë eurove në bankë për 15 vite, jo që të sjell shpenzime, por të sjell përfitime nga interesi në depozita.

    Pas 16 viteve, ata të cilët keqmenaxhuan me fondet e rezistencës, menaxhojnë me Buxhetin e Kosovës. Kryeministri aktual i Kosovës ishte pjesë e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës. Kurse nënkryetari i Kuvendit z.Xhavit Haliti ishte përgjegjës për Fondin Vendlindja Thërret.

    Përderisa hetimi i keqpërdorimeve buxhetore të buxhetit të Kosovës është më i komplikuar, ngase janë të përfshirë me qindra zyrtarë financiarë, hetimet për keqpërdorimin e fondeve pas qershorit 1999 janë shumë të lehta. Prokuroria duhet të marr në përgjegjësi të gjithë ata të cilat janë përgjegjës për menaxhimin e këtyre fondeve. E ata janë të pakët dhe i njohim të gjithë.

     

     

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark