×
  • Lajme
  • Lajme

    I akuzuari për financim të Al-Kaedës kërkon 12 milionë dollarë dëmshpërblim nga Shqipëria

    Insajderi
    09 March 2016 - 16:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lindita Çela, Tiranë

    Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, Kadi ka pastruar ‘de jure’ emrin përmes një serie procesesh gjyqësore në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe ka rifituar pasurinë e tij në Shqipëri. Megjithatë, ai ka vendosur të kërkojë një dëmshpërblim të majmë nga Shqipëria me argumentin se “pronat e tij u keqadministruan” përgjatë shtatë viteve që ndodheshin nën sekuestro.

    Në shkurt 2016, avokati i Yassin Kadi ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të shkallës së parë një padi kundër Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, AAPSK, të cilat kanë menaxhuar pasuritë e tij gjatë 7 viteve të sekuestros.

    Sipas kërkesë-padisë të cilën BIRN e disponon, ai kërkon dëmshpërblim në vlerën e 1.527.330.000 lekëve (12 milionë USD).[Kliko këtu për padinë]

    Biznesmeni Yassin Kadi nga qyteti Jedahh i Arabisë Saudite e shtriu aktivitetin e tij në Shqipëri nga ndërtimet deri tek financimi për qëllime bamirësie në mesin e viteve ’90. Por bizneset e tij në Shqipëri morën të tatëpjetën pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kur Kadi u përfshi në listën ndërkombëtare të personave të kërkuar për financim të organizatës famëkeqe Al-Kaeda.

    Me pasuritë e tij nën sekuestro, Kadi u kujdes fillimisht të rrëzonte akuzat për lidhje me organizatat terroriste. Ai zotëron tashmë një vendim pafajësie të Gjykatës së Drejtësisë në Luksemburg, një vendim për hetimet e mbyllura në Stamboll dhe një tjetër verdikt të Gjykatës së Distriktit Jugor të Neë Yorkut, ku çështja e tij pushohet për shkak se nuk provohet që Kadi është financues i terrorizimit.

    Emri i tij u hoq edhe nga lista e zezë e OKB-së në dhjetor 2012, ndërsa në vitin 2013 qeveria shqiptare vendosi t’i kthejë atij pronat e sekuestruara. Por përmes padisë së bërë në Gjykatë, Kadi pretendon t’i marrë shtetit shqiptar rreth 12 milionë dollarë dëmshpërblim vetëm për administrimin e “Loxhall”, njëra prej 7 kompanive të tij në Shqipëri.

    Pretendimet e tij konsiderohen të padrejta nga Ministria e Financave dhe Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara. Përmes një shkrese të dorëzuar në Gjykatën Administrative, kjo Agjenci argumenton se pasuritë janë administruar konform ligjit dhe shuma e pretenduar nga Kadi është hipotetike.

    Më shumë në reporter.al

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark