Turizmi i vendit është ndër sektorët më të goditur nga pandemia Covid-19 dhe nëse shteti nuk ndërmerr ndonjë plan konkret për rimëkëmbjen e tij, shumë biznese do të falimentojnë dhe punëtorët do të mbesin pa punë. Kështu thotë Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, organizatë që është themeluar nga subjekte turistike, me qëllim të zhvillimit të turizmit.
Në një intervistë për KOHËN, Hoti ka thënë se 99 për qind e të huajve që kanë paraparë ta vizitojnë Kosovën i kanë anuluar vizitat pas shfaqjes së Covid-19.
Mungesa e turistëve, sipas tij, ka pasur ndikim zinxhiror si tek akomodimi, guidat turistike, operatorët turistikë e agjencitë e udhëtimeve.
Megjithatë, shteti deri më tani, sipas tij, nuk ka bërë asgjë për turizmin dhe se këtë e dëshmon edhe fakti që Kosova nuk ka ministri të turizmit dhe se i gjithë turizmi është lënë në dorë të një divizioni që ka të punësuar vetëm 3 persona.
Ai ka thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon që bizneset turistike kanë TVSH-në 18 për qind. Ka thënë se Qeveria në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, që është në procedurë në Kuvend, ka paraparë që të ulë TVSH-në për 8 për qind. Por, kjo ulje parashihet vetëm për kohën sa zgjat pandemia. E kjo, sipas Hotit, nuk do të ishte e mjaftueshme, pasi që rimëkëmbja nuk mund të bëhet për një kohë të shkurtër.
Në mungesë të turistëve nga jashtë ka thënë se po mundohen të krijojnë oferta për tërheqjen e turistëve vendorë, duke bërë zbritje të çmimeve në mënyrë që ta mbajnë gjallë turizmin./Insajderi.org