Insajderi
Biznes

​Papunësia në tremujorin e parë ishte 25.0 për qind

Insajderi
27 August 2020 - 14:46
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
​Papunësia në tremujorin e parë ishte 25.0 për qind
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e anketës së fuqisë punëtore për tremujorin e parë të këtij viti, ku theksohet se pandemia nuk ka ndikuar gjatë këtyre muajve pasi ishte vetëm fillimi, ndërsa, ndikim më të theksuar pritet të ketë në tremujorin e dytë të këtij viti.

ASK thotë se për shkak të Pandemisë COVID-19, që kishte përfshirë edhe Republikën e Kosovës (mesi i muajit mars 2020), Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për TM1 2020 nuk janë publikuar sipas datës së planifikuar, pasi ASK-ja nuk ka munduar që të vazhdojë grumbullimin e të dhënave në terren nga 16 marsi 2020, ndërsa pas lehtësimit të disa masave nga ana e Qeverisë, nga data 22 qershor 2020 ka rifilluar grumbullimi i të dhënave në terren për t’i kompletuar të dhënat për tremujorin e parë dhe ka vazhduar deri më datën 05 korrik 2020.

“Ndikimi i Pandemisë COVID-19 në të dhënat e tregut të punës pritet të jetë i theksuar në TM2 2020, derisa për TM1 2020 një pjesë e bizneseve nuk i kishin mbyllur aktivitetet (fillimi i Pandemisë) dhe ndikimi në të dhënat e tremujorit të parë ishte shumë i vogël. Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune”.

“Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.8%. Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2020 është 29.1%”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së, punësimi më i lartë është te meshkujt 44.0%, ndërsa punësimi te femrat është 14.1%.

“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2020, shkalla e papunësisë është 25.0%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 30.6%, krahasuar me meshkujt, 23.0%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 46.4%. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2020, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 61.2%, me fokus të veçantë te femrat me 79.7 %, krahasuar me meshkujt, 42.9%”, përfundon njoftimi.

 


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark