Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka ngritur edhe njëherë zërin në thirrje të politikës për ndihmë ndaj tyre.
Nëpërmjet një statusi të publikuar në rrjetin social Facebook, Petrit Kllokoqi, anëtar i kësaj shoqate, ka treguar se ky sektor po përballet me falimentimin, me pasoja të pakthyeshme, teksa kanë thënë që kërkesat e tyre në vazhdimësi po hasin në vesh të shurdhër, pa asnjë përgjigje e reagim nga Qeveria, shkruan Insajderi.
“Gastronomët e Kosovës kanë hapur peticionin për heqjen e kufizimeve dëmtuese dhe alarmimin e politikës për krizën që na pret. Këtë javë do ta vizitojmë të gjithë Kosovën për të vazhduar me mbledhjen e nënshkrimeve, me shpresën se më në fund dikush do ta dëgjojë shqetësimin tonë dhe do ta kuptojë ç’po ndodh”, thuhet në reagim.
Tutje, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka paraqitur tri kërkesat thelbësore për të shmangur krizën kombëtare:
“ 1. Të shfuqizohet kufizimi i lëvizjes për qytetarë dhe biznese.
2. Të krijohet një manual i saktë për gastronominë për punën brenda lokaleve në sezonin vjeshtë-dimër.
3. Të përgatitet një pako e veçantë për përkrahje të sektorit të gastronomisë, si sektori më i goditur nga pandemia”, janë kërkesat e kësaj shoqate.
E krejt në fund, ata kanë thënë se hapi i radhës pas kësaj do të jetë protesta demokratike. / Insajderi.org