Insajderi
Insajderi

Vazhdojnë punësimet familjare: I afërmi i Sali Zybës punësohet te ministrja Rozeta Hajdari

Insajderi
19 May 2021 - 12:01
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Vazhdojnë punësimet familjare: I afërmi i Sali Zybës punësohet te ministrja Rozeta Hajdari
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Megjithëse kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë fushatës elektorale kishte premtuar se nuk do të kishte punësime familjare kur ai të vinte në pushtet, një gjë e tillë si duket nuk po ndodh.

Rasti i fundit i punësimeve familjare ka ndodhur në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ministri kjo që udhëhiqet nga Rozata Hajdari.

Gazeta Blic nga burime të saj brenda Ministrisë merr vesh se Drilon Zuba, familjari i Sali Zybës, është punësuar si asistent i ministres Rozeta Hajdari.

Pas marrjes së këtij informacioni është kontaktuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Hajdari në përgjigjen e saj ka thënë se i njëjti nuk është djali i vëllait të Sali Zybës, por nuk ka mohuar se i njëjti është i punësuar në këtë ministri.

“Nuk është djali i vëllait të Sali Zybës dhe është në kabinetin e ministres, pra është staf politik. Këto pyetje nuk janë të arsyeshme që i’u i bëni, nuk është djali i vëllait të Sali Zybës. Unë nuk e kam të afërt zotin Zyba, nuk e kam familjar, çfarë ka lidhje farefisnia ime me zotni Zybën”, tha shkurt Hajdari për Gazeta Blic.

Rasti i punësimeve familjare nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është pikasur vetëm në këtë ministri.

Një rast i freskët ishin punësimet në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës ku disa prej anëtarëve rezultuan se ishin familjarë dhe mbështetës së LVV-së.

Por këto nuk janë rastet e vetme të punësime “me të njofshëm” nga ana e këtij subjekti politik.

Me të ardhur në pushtet LVV-ja, xhaxhi i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kishte marrë një pozitë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Edhe Lista “Guxo” partnere koalicioni me VV-në ka vazhduar të rehatojë njerëzit e saj në pozicione të ndryshme qeverisëse.

Në media pak ditë më parë u raportua se djali i xhaxhait të Haxhi Avdylit është “rahatuar” në Ministrinë e Shëndetësisë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark