
Ndonëse zyrtarë të nivelit më të ulët të qeverisë kanë pranuar se ekzekutivi është duke punuar në drejtim të strehimit të afganëve që kanë punuar me autoritetet amerikane, njeriu i parë i qeverisë nuk e ka thënë asnjë fjalë për adresimin e kësaj çështje.
Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, nuk është deklaruar për kërkesën e qeverisë amerikane drejtuar qeverisë së udhëhequr prej tij për strehimin e përkohshëm të qindra afganëve. Lideri i shumicës parlamentare nuk e ka thënë asnjë fjalë as për shtetasit kosovarë që ndodhen në Afganistan.
Megjithatë, për këtë çështje ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme, e cila ka njoftuar se ka identifikuar tre shtetas të Kosovës në Afganistan me të cilët është në kontakt.
MPJ-ja ka thënë se është duke punuar për t’i identifikuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan në mënyrë që të njëjtit të largohen sa më shpejt nga atje
Kosova dhe Shqipëria kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të strehuar afganët që kanë punuar me autoritetet amerikane.
Të dy shtetet kanë konfirmuar më 15 gusht se janë duke komunikuar me autoritetet amerikane për të strehuar përkohësisht civilët afganë, derisa të rregullohen dokumentet e tyre, në mënyrë që më pas ata të shkojnë në SHBA.
Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar që prej se trupat ndërkombëtare, në krye me SHBA-në, njoftuan në maj se deri më 31 gusht do të tërhiqen nga vendi.
Më 15 gusht, talibanët hynë në kryeqytetin afgan, Kabul, teksa presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua nga vendi.
Në aeroportin ndërkombëtarë të Kabulit, që po menaxhohet nga trupat amerikane, ka tollovi, pasi shumë afganë, nga frika nga talibanët, po duan të largohen nga shteti.
Shumë misione diplomatike në Kabul, përfshirë atë të SHBA-së, kanë nisur evakuimin e stafit të tyre dhe afganëve që kanë bashkëpunuar me ta.