“Ju që i thurni lavde kësaj qeverie, hiçmuni sysh të paktën sot”- Shkrimi i ndjerë i profesorit universitar që humbi tre familjarë nga Covid - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ju që i thurni lavde kësaj qeverie, hiçmuni sysh të paktën sot”- Shkrimi i ndjerë i profesorit universitar që humbi tre familjarë nga Covid

    Insajderi
    04 September 2021 - 18:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Profesori i Universitetit të Prishtinës, Gëzim Selaci, ka shprehur indinjatën e thellë me qeverisjen Kurti dhe mënyrën e menaxhimit të pandemisë.

    Selaci përmes një reagimi në Facebook ka thënë se vetëm gjatë këtyre ditëve ka patur tri raste të vdekjeve nga Covid-19 në familjen e tij. Ai shprehet i zemëruar dhe akuzon Qeverinë për humbjen e këtyre jetëve pasi thekson se të njëjtit nuk ndërmorën asnjë fushatë vetëdijësuese por lejuan kafet, klabet dhe restorantet, sikur virusi nuk ekzistonte.

    Ai tutje thotë se kur qeverisemi nga politikanë kaq të pandjeshëm për jetën e njeriut nervozohemi fort dhe duhet të frikësohemi nga to.

    Reagimi i plotë:

    Status me zemërin e frikë,

    Pash jetën, së paku vetëm një ditë, pa lavde e surrata të politikanëve! Ju që i thurni lavde kësaj qeverie ose qitni surratat e tyne në profile private, portale lajmesh e ekrane televizive, hiçmuni sysh, së paku sot. Këto ditë kam pasë tri raste të vdekjes nga Virusi në familje, dy në familjen e gruas sime dhe një në familjen time, andaj nuk mund të duroj surratat e zgërDhimë të atyre që e qeverisën drejt vdekjes një babë dhe vajzën e tij të re, dhe një nënë bashkë me fëmijën në barkun e saj, si dhe shumë raste të tjera tragjike.

    Edhe po, i zemëruar jam, dhe mendoj se flas në emër të të gjithë të zemëruarve që fajësojnë këtë qeverisje të papërgjegjshme për humbjen e jetëve të të dashurve të tyre nga Virusi. E akuzoj qeverinë që jo që nuk ndërmori kurrfarë fushate vetëdijësuese për rrezikun e Virusit dhe programe edukimi për mbrojtjen prej tij, por me muaj të tanë lejoi rrëmujë në kafe, restorane, klube, salla dasmash, tregje, koncerte, festivale, klube, rrugë e aeroport, duke lënë kështu përshtypjen se iku virusi, e duke u thënë qytetarëve se s’ka rrezik, s’ka krizë!

    Tash, guxojnë të na thonë se do të ketë edhe fushatë zgjedhore!Nuk jam nga ata naivët që presin njëfarë shpëtimi si mesianik nga politika ose shpresojnë qeverisje sipas modelit nordik, por pritshmëritë i kam goxha të ulëta nga politika, duke pasë parasyshë rrethanat politike, socioekonomike dhe kulturore në vend. Kështu, politikës i falë dhe i kisha falë shumë paaftësi, papërgjegjshmëri, mbrapshti e padrejtësi në qeverisje.

    Mirëpo, kur na udhëheqin politikanë kaq të pandjeshëm për vleftën e jetës së njeriut, nuk di çfarë tjetër duhet me ndodhë për mos me u zemëru me qeverinë aktuale dhe mos me u frikësu nga ajo!Për fund, secilin mik/e që e sheh këtë postim dhe nuk i kushton zemra të shprehë zemërim me këtë qeverisje ose druan që nëse shpreh zemërim rrezikon ndonjë privilegj që e gëzon ose e shpreson nga pushteti, e lus që të ndihet i/e lirë t’i japë fund miqësisë virtuale me mua këtu. Nuk na duhet miqësi, as reale, as virtulale, nëse nuk themelohet mbi respektin e pakusht për jetën e njeriut!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark