
Nënkoloneli policor që është rekomanduar sot për suspendim nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), dyshohet se ka rënë në përgjime me një nga të dyshuarit që është arrestuar në rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë në Lipjan në maj të këtij viti.
Ani pse bëhet fjalë për rast tjetër, siç kanë thënë burimet, ky i dyshuar ishte përgjuar për rastin e sekuestrimit të drogës.
Arbnesh Ajvazi është drejtor i Divisionit të rendit publik në Komandën Kryesore në Policinë e Kosovës.
Në operacionin e përbashkët mes Policisë së Kosovës, DEA-s amerikane, Policisë së Shqipërisë dhe Policisë Italiane, më 17 maj të këtij viti u kapën 400 kilogramë kokainë në Lipjan.
Droga ishte kapur në një kamion të kompanisë Mcfood.al.
IPK-ja sot ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e një nënkoloneli policor për “ushtrim ndikimi” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë duke hetuar një rast i dyshuar është një zyrtar policor me gradën e nënkolonelit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”. Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të procedurës hetimore përderisa hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore për këtë rast në koordinim me prokurorinë e shtetit”, thuhet nga IPK-ja.