Kurti thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare: Mos i mbyllni sytë para regjimi autokrat në Serbi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare: Mos i mbyllni sytë para regjimi autokrat në Serbi

    Insajderi
    25 September 2021 - 13:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Albin Kurti ka fajësuar Serbinë se po i përkrah grupet kriminale në veri të Kosovës, teksa ka kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare që të mos i mbyll sytë para nxitjes që po bën regjimi autokrat në Serbi.

    Duke komentuar sulmet e mbrëmshme në Zubin Potok dhe Zveçan, kryeministri Kurti ka lavdëruar Policinë e Kosovës dhe komunitetet pa dallim etnie për durimin e treguar karshi provokimeve të vazhdueshme.

    “Është për të ardhur keq që grupe kriminale në veri të Ibrit gjithnjë të ditura dhe të mbështetura nga Serbia vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucionet e shtetit të Kosovës. Policia e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar për profesionalizmin dhe korrektësinë e saj, edhe qytetarët pa dallim etnie atje janë dëshmuar për qetësinë dhe durimin e tyre. Andaj, unë iu bëj thirrje të gjithë atyre që të vazhdojnë kësisoj”, tha ai.

    Ai ka thënë se individ e as grupe kriminale nuk mund të ngadhënjejnë mbi shtetin tonë, ndërsa ka kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

    “Bashkësia Ndërkombëtare të mos i mbyll sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës që ta kundërshtojnë dhe luftojnë shtetin tonë. Pikat kufitare 1 dhe 31 janë me policë kufitarë, ndërkaq Njësia Speciale atje është për t’i mbrojtur ato”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka arsyetuar praninë e Njësisë Speciale në veri, duke thënë se sulmet në Zubin Potok dhe Zveçan janë dëshmi se çka do të ndodhte në pikat kufitare 1 dh 31 po të mos ishte Policia e Kosovës.

    “Zjarrvëniet e qëllimshme që kanë ndodhur pak pas mesnate janë dëshmi se çka do t’iu ndodhte pikave kufitare 1 dhe 31 nëse aty nuk do të ishin pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Bllokimi i rrugëve nuk po ndodh nga policia jonë, as qarkullimi i lirë i lëvizjes nuk pengohet nga policia jonë, përkundrazi”, tha ai.

    Këto komente kryeministri Kurti i bëri në Shkup, ku po merr pjesë në Forumin Socio-ekologjik.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark