
Një numër i konsiderueshëm i trupave të KFOR-it janë parë sot në kufiri në Jarinjë e Bërnjak, për shkak se tash e 8 ditë po protestohet për heqjen e masës së reciprocitetit për targat. Në orët e paradites u raportua se do të ketë ndërhyrje nga ana e KFOR-it. Por këta të fundit kanë deklaruar se kanë rritur patrullime në gjithë Kosovën përfshirë edhe veriun.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar zëdhënësin e KFOR-it, Antonio Minutella për ta pyetur lidhur me situatën në veri dhe se a do të ketë ndërhyrje nga ana e tyre.
Minutella u shpreh se KFOR-i është duke e monitoruar nga afër situatën në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun e vendit. Teksa shton se kanë rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore.
“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, tha zëdhënësi i KFOR-it për Insajderin.
Ndërkohë, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në konferencën për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë qe të gjitha vendimet politike në lidhje me situatën në veri, merren në përputhje me informatat profesionale që i marrin nga Policia, si dhe shtoi se PK ka më shumë prezencë në veri se edhe vetë KFOR-i, shkruan Gazeta Insajderi.
Kurti ka thënë se sot bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme kanë diskutuar me komandantin e përgjithshëm të KFOR’it për situatën e sigurisë, e po ashtu dje ka biseduar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO’s e përfaqësuesin për Politikë të Jashtme të Komisionit Evropian.
Derisa u raportua se forcat e KFOR’it do të ndërhyjnë sot në veri, Kurti tha se nuk kanë informacione për këtë, derisa ai është shprehur se ai nuk merr vendime pa vlerësimet që u vinë nga Policia e Kosovës.
“Ne diskutuam me gjeneralin Federici, komandantin e përgjithshëm të KFOR’it për situatën e sigurisë. Meqenëse ne i kemi policët tanë atje dhe ata e bëjnë vlerësimin e situatës. Vendimet që ne i marrim nuk janë të pastra politike, madje përmbajtja e tyre është shumë profesionale e sigurisë. Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime pa vlerësimet që na vinë nga Policia e Kosovës mbi rrethanat në të cilat ata ndodhen atje dhe ne shkëmbejmë informacionin me KFOR’in sepse jemi më shumë të pranishëm se edhe vetë KFOR’i. Unë nuk kam një informacion të tillë të përgatitjes së hyrjes së KFOR’it. Kam biseduar dje edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO’s, Stoltenberg edhe me zv. Presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin për Politikë të Jashtme, zotin Borell”, ka deklaruar ai./Insajderi.org
Lexo edhe: