Ekspertët kinezë deklaruan se ata e shohin si një “sinjal pozitiv” qasjen e administratës Biden me Kinën në sektorin e tregtisë.
”Global Times”, një gazetë e përdorur shpesh si një zëdhënëse shtetërore, citoi ekspertë që komentuan thirrjen e Përfaqësueses Tregtare të SHBA, Katherine Tai për “diskutime të sinqerta” mes Pekinit dhe Uashingtonit.
“Tai shpjegoi rëndësinë e rirregullimit të politikave tregtare të Uashingtonit ndaj Kinës në mënyrë që të mbrojë interesat e punëtorëve, bizneseve, fermerëve dhe prodhuesve të Amerikës dhe të forcojë klasën tonë të mesme”, sipas një deklarate nga zyra e saj.
“Biseda e sinqertë nga Tai është një sinjal pozitiv, pasi mekanizmi i bisedimeve tregtare Kinë-SHBA është gjithmonë aty, ndërsa fjala e sinqertë mund të tregojë se SHBA kuptoi se duhet të evitojë fërkimet tregtare dypalëshe”, tha Gao Lingyun, një ekspert në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale në Pekin.
Kjo ishte gjithashtu në përputhje me strategjinë amerikane të Kinës.
Pekini këmbëngul që dallimet duhet të zgjidhen përmes bisedimeve të sinqerta duke ruajtur tregtinë normale midis dy ekonomive më të mëdha të botës.
Gao shtoi se propozimi amerikan tregoi se taksat e vendosura nga SHBA mbi produktet kineze me sa duket nuk kanë më një ndikim të madh sa ishte menduar.
”SHBA as nuk kishte gjetur alternativa për produktet kineze dhe as nuk kishte detyruar zinxhirët industrialë të largoheshin nga Kina”, pohoi Gao.