
Në autobusin e kompanisë “Endriti” më konkretisht në linjën Viti-Ferizaj sot është parë një numër i madh i udhëtarëve. Përveç pasagjerëve të ulur në ulëse shihen edhe të tjerë qytetarë që qëndrojnë në këmbë, disa prej tyre pa maska – ose jo të vendosura siç rekomandohet.
Përkundër kërkesës nga Ministri e Shëndetësisë që të punohet me 50% të kapaciteteve kjo nuk po gjenë zbatim, si në rastin e kompanisë “Endriti” nga Ferizaj.
Në redaksinë e Insajderit kanë arritur disa pamje ku shihet mbingarkesë e pasagjerëve.
Raportuesit janë shprehur se për mos respektimin e masave kanë lajmëruar policinë dy herë, por që të njëjtit sipas tyre nuk kanë reaguar.
“Dy herë i kemi thirr Policinë e Ferizajit nuk dalin”, është shprehur njëri.
“Linja Viti-Ferizaj në ora 7:10 niset prej Vitisë për Ferizaj duke mbledh udhëtar rrugës deri të arrijmë në Ferizaj bëhen 150 persona në autobus çdo mëngjes kështu është”, ka thënë qytetari tjetër për Insajderin.
Fillimisht, mbingarkesën e pasagjerëve e mohoi pronari i kompanisë “Endriti”, Isuf Sejdiu duke u shprehur se pamjet e dërguara nuk janë nga autobusët e kompanisë së tij, por vetëm pastaj u shpreh se meqë ka filluar viti shkollor edhe mund të jenë.
Sejdiu u shpreh se kanë punuar me humbje sepse ka pasur mungesë të udhëtarëve. Ai shtoi nuk mund të iu bëhen si ‘policë’ udhëtarëve, shtoi se po punojnë sipas rekomandimeve të dhëna.
“Absolut nuk janë – ne gjithmonë i respektojmë masat. Bile-bile nuk kemi pasë nevojë me i respektu masat se deri tash thatë është kanë tash kanë fillu nxënësit e nashta për këtë ka diçka udhëtarë më shumë sepse ma herët ske pas nevojë se kemi ecë thatë, që 1 vjet jemi duke punu me humbje, se nuk ka pasë njerëz nuk ka pasë studentë”, ka thënë Sejdiu për Insajderin.
I pyetur se a do të bëjnë zgjidhje – potencialisht të shtojnë numrin e autobusëve, Sejdiu është shprehur i nervozuar duke thënë se kjo gjë nuk do të ndodh.
“Linjat (autobusët) nuk munden me u shtu, ne punojmë sipas masave edhe kaq – edhe mos e zgjatë ma shumë”, deklaroi ai.
“Unë nuk jam polic me i shti me zor me e vnu maskën, në derë të autobusit shkruan, është vërejtja, që pa maskë nuk guxon me hy”, tha pronari i kompanisë “Endriti”.
Ndonëse qytetarët u shprehën se kanë raportuar rastin në Polici, gjegjësisht në rajonin e Ferizajt të njëjtën gjë nuk po e thotë zëdhënësi i këtij rajoni, Kanun Veseli.
Në përgjigje për Insajderin, Veseli është shprehur se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me raste të tilla.
“Në qendrën e komunikimit nuk ka pasur ndonjë thirrje apo ndonjë ankesë nga mëngjesi e deri në këto momente. Ne trajtojmë çdo rast që raportohet – regjistrohet në qendrën e komunikimit dhe veprojmë, por në këtë rast skemi pas ndonjë lajmërim”, ka thënë ai.
Theksojmë se transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri 50% të kapacitetit dhe sipas udhëzuesit përkatës.
Ankesat lidhur me transportin publik kanë qenë të vazhdueshme duke marrë parasysh edhe moti e lig që ka filluar të mbizotërojë në vend./Insajderi.org