Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë edhe një person, i cili dyshohet se së bashku me disa persona të tjerë ka tentuar që të ndikojë në procesin zgjedhor, konkretisht tek votuesit e diasporës.
“Ka tentuar të dërgojnë kopje të dokumenteve personale të personave të ndryshëm dhe një listë me emra dhe mbiemra të personave të cilët jetojnë jashtë vendit (votues nga diaspora)”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës për këtë kapje në Aeroportin Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.
Lidhur me rastin, me aktvendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Edhe pak ditë më parë është kapur një e dyshuar me një rast të ngjashëm.