
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës sot ka treguar ndotje alarmante të ajrit. Pothuajse të gjithë matësit e vendosur nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, sot kanë treguar cilësi jo të mirë të ajrit.
Sipas matësve të IHMK-së, sot ajër me cilësi shumë të dobët kanë: Obiliqi dhe Prishtina.
Ajër me cilësi të dobët sot kanë: Prizreni, Peja, Mitrovica, Gjilani dhe Drenasi.
Matësit në Han të Elezit nuk kanë treguar të dhëna për ditën e sotme.
Ajër me cilësi të pranueshme sot ka vetëm në Brezovicë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit.
Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.
Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë dhe ligjeve vendore.
Bazuar në kriteret e lartpërmendura stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë (Brezovicë), Hani i Elezit dhe Gjilan.