
Zgjedhjet lokale, më konkretisht fushata zgjedhore, përkushtimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës po edhe pjesëtarëve të kabinetit të Qeverisë së Kosovës ka bërë që dështojnë të mbahen një sërë mbledhjesh, ato të kryesisë së Kuvendit e komisioneve të tjera parlamentare.
Të hënën (8 nëntor), ishte paraparë të mbahej mbledhja e Kryesisë së Kuvendit por që dështojë për shkak të kuorumit. Njësoj ndodhi edhe dy herët e fundit. Mbledhja nuk u mbajtë as me 23, 26 tetor. Krejt kjo për shkak të mungesës së mazhorancës, gjegjësisht fokusit në zgjedhjet lokale.
Kjo pa përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Kosovës po cilësohet si shqetësuese dhe aspak profesionale nga pjesëtarë të Shoqërisë Civile.
Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë për Gazetën Insajderi se subjektet politike janë përkushtuar në zgjedhjet lokale andaj po dështojnë të mbahen mbledhjet e kryesisë e seancat plenare.
Sipas saj, Kuvendi po karakterizohet me një dinamik të ulët të punës.
“Kryesia e Kuvendit, kohëve të fundit ka pasur probleme te theksuar me kuorumin për çka edhe tash e tri mbledhje radhazi nuk ka arrite te zhvilloj mbledhje të rregullta e njëkohësisht të caktoj edhe mbajtjen e seancave plenare. Në fakt, Kuvendi që nga fillimi i sesionit vjeshtor është karakterizuar me një dinamikë të ultë të punës për shkak të fokusit që kanë pasur partitë politike të zgjedhjet lokale dhe pjesëmarrja e deputetëve nëpër aktivitete zgjedhore nëpër komuna”, ka thënë Haxhiu për Insajderin.
Haxhiu ka përmendur që tanimë Kryesia e Kuvendit ka mungesë një anëtar. Atë të PDK-së, Bedri Hamza, i cili fitoi garën për të parin e Mitrovicës së Jugut.
“Disa deputetët, madje, edhe kanë qenë vet pjesë e garës zgjedhore e një pjesë e tyre deputetë që kanë funksione udhëheqëse brenda Kuvendit, siç është rasti me nënkryetarin nga radhët e PDK-së, z.Hamza. Tashmë, z.Hamza edhe ka dhënë dorëheqja nga pozita e deputetit rrjedhimisht edhe Kryesia është me një anëtar më pak deri në zgjedhjen e nënkryetarit të ri”, tha ajo.
Përveç Hamzës, monitoruesja e Kuvendit të Kosovës përmend edhe një problem tjetër, bojkotin e Listës Serbe.
“Dorëheqja e z.Hamza në njërën anë, bojkoti i Listës Serbë rrjedhimisht anëtarit të tyre në Kryesi në anën tjetër dhe mungesat e kohëpaskohshme edhe të anëtarëve të tjerë të Kryesisë, ka bërë që Kryesia të ketë të pamundur arritjen e kuorumit prej katër anëtarëve në mënyrë që t’i zhvilloj mbledhjet e saj”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu tha për Insajderin se mos mbajtja e mbledhjeve të Kryesisë, ka pamundësuar edhe caktimin e seancave të reja plenare duke bërë kështu që çështjet që janë tash e tri javë në pritje për tu shqyrtuar nga deputetët të shtyhen deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale dhe kthimit të vëmendjes së deputetëve në punën në Kuvend.
“Pjesa dërrmuese e pikave që po presin shqyrtim janë projektligje, shqyrtim në lexim të parë dhe deri tani në procedurë të shqyrtimit në Kuvend janë 54 projektligje. Prej fillimit të sesionit vjeshtor, Kuvendi ka mbajtur vetëm tri seanca plenare dhe ka miratuar vetëm katër ligje, tre prej tyre marrëveshje ndërkombëtare”, ka potencuar Haxhiu e KDI-së.
Në anën tjetër edhe Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL”, e ka cilësuar si jashtëzakonisht shqetësuese dështimin e disa prej mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit.
“Për neve është jashtëzakonisht shqetësuese një çasje e tillë, për më shumë se 10 vite e kemi parë një kritikë pikërisht prej partisë që sot është në pushtet me kritika të tilla që gjatë zgjedhjeve lokale apo parlamentare janë shfrytëzuar edhe resurset qeveritare dhe njerëzit që janë thirrë dhe paguhen me taka tona për me na përfaqësu dhe me punu për neve, thjesht nuk shkojnë në punë dhe një gjë të tillë po e shohim edhe tani”, ka thënë Hoxha për EO, përcjell Insajderi.
Hoxha ka komentuar edhe fushatën që po bën kryeminsitrit Kurti së bashku me minsitrat e tij për kandidatin e Prishtinës, Arben Vitia. Ai e ka cilësuar pa përgjegjësi totale të qeverisë.
“Dje kemi parë që i gjithë kabineti qeveritar ka qenë në përkrahje të një kandidati për kryeqytet në kohën kur edhe ne mendojmë se ka qenë me u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit dhe kjo është një papërgjegjshmëri totale e qeverisë dhe e cenon direkt funksionalizimin dhe ndarjen e pushteteve”, tha Hoxha.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit është shtyrë për një datë tjetër, mbetet të shihet se kur do të mbahet mbledhja e radhës./Insajderi.org
Lexo edhe: