
Rreshat Murseli, Drejtori i drejtorisë për Hetim dhe Trafikimin me narkotikë ka dhënë detaje lidhur me aksionin e realizuar në disa qytete të Kosovës. Vushtrri, Prishtinë e Ferizaj.
Drejtori ka konfirmuar se për rastin janë arrestuar 5 persona, shqiptar e serbë. Janë sekuestruar 75 kg marihuanë, derisa janë konfiskuar edhe mjete të tjera si fishekë, armë e vetura.
Gjithashtu janë sekuestruar euro e denar.
Arrestimi i katër personave është bërë dje teksa personi i pestë i dyshuar është arrestuar sot.
“Rasti ka ndodhur dje. Njësia në Prishtinë duke u koordinuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka realizuar me sukses aksionin e koduar “Bardhoshi”. Hetimet për këtë rast kanë nisur 4 muaj më parë, ku janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore që ka rezultuar me arrestimin e 5 personave për veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”, ka thënë ai.
“Operacioni policor ka filluar në orët e pasdites së djeshme të datës 10 përderisa njësia rajonale në Prishtinë kishte dyshime të arsyeshme dhe ka vërejtur se I dyshuari M.S me veturën e tij Golf VI ngjyrë e bardhë ishte duke lëvizuar në rrugë Prishtinë-Mitrovicë dhe në hyrje të qytetit të Vushtrrisë ishte ndalu për kontroll nga njësit kontrolluese”, njoftoi drejtori Murseli.
Pas Vushtrrisë, hetimet më tej kanë vazhduar në fshatin Bardhosh. Aty është kapur i dyshuari i dytë.
“I dyshuari i dytë V.V në fshatin Bardhosh dhe në kontroll të sipër në lokalet e shtëpisë së tij janë gjetur gjithsej 50 paketime të mbushura me marihuanë, të cilat ishin të mbështjelluara me disa gurë pas matjes së peshës së tyre ka rezultuar se janë 55 kg. Janë gjetur edhe 93 fishekë të kalibrit 47, një pjesë përbërëse e pistoletës, një fotrolë e revoles”.
Tutje, ai ka sqaruar se si janë arrestuar edhe të dyshuarit e tjerë.
“Është sekuestruar vetura Golf VI , vetura Shkoda, Passat, 6 telefona celular, 1.600 euro dhe 2,700 denar të Serbisë.
Në Prishtinë janë arrestuar personi S.H kosovar 50 vjeç, S.S serb i Kosovës, 41 vjeç dhe D.M, 40 vjeç nga Serbia, të cilat dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal dhe ndaj të njëjtëve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Sot rreth orës 11:40 në Ferizaj është arrestuar edhe i dyshuari i 5, B.B”, tha ai.
Sasia e narkotikëve dyshohet se ka ardhur nga vendet fqinje dhe ishte destinuar për vendet e Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka sqaruar se janë kapur 75 kilogramë marihuanë.
“Është 74 kilogramë e 940 gram afërsisht 75 kilogramë”, tha Kelani./Insajderi.org