
Me propozim të prokurorit Burim Cerkini, të premten është mbyllur për publikun gjykimi në rastin “Syri i Popullit”, për pjesën ku do të diskutohet për dëshmitarët anonim. Propozimi i prokurorit është përcjellë me polemika, ku ndër të tjera i akuzuari Sadri Ramabaja i ka thënë se është pjesë e krimit, por më pas e ka tërhequr këtë deklarim.
Në këtë rast, Avni Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J., ndërsa Sadri Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fillim të seancës, prokurori Burim Cerkini ka thënë se para se të fillojë seanca ka një propozim, e propozimi i tij ishte që të mbyllej për publikun e njëjta.
“Duke marrë për bazë se kjo çështje penale është bërë mjaft publike dhe mediatike. Gjithashtu duke marrë për bazë se në këtë çështje penale do të dëgjohen dëshmitarët anonim a2 dhe a3 për shkak të konfidencialitetit dhe ruajtjes së asaj që do të dëgjohet dhe propozohet në këtë seancë që seanca e sotme të mbyllet për publikun dhe për median”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli i tha të njëjtit se ata nuk kanë informacion nëse janë siguruar dëshmitarët.
Për këtë, prokurori tha se kjo është arsyeja pse po propozohet mbyllja e seancës për publikun dhe mediat.
Më, pas gjykatësi Konxheli sërish e ka pyetur nëse janë diku dëshmitarët.
“Le të vendoset për publikun pastaj. Ka të bëjë me çështje konfidenciale dhe të ndjeshme dhe me çështje që ditët e fundit është bërë mediatike”, tha prokurori.
Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Nasuf Hasani deklaroi se e përkrahin propozimin e prokurorit pasi si organ kompetent konsideron se kanë bërë një vlerësim për këtë propozim. Këtë deklarim e mbështeti edhe pala e dëmtuar, Azem Vllasi.
Mirëpo, propozimin e prokurorit e kanë kundërshtuar dy avokatët mbrojtës, Naim Rudari e Ramiz Krasniqi.
Rudari që është avokat i Avni Llumnicës deklaroi se vlerësojnë se prokurori nuk e ka arsyetuar mjaftueshëm se pse duhet të mbyllet seanca.
“Edhe pse dëshmitarët e mbrojtur e kanë identitetin e dëshmitarit të mbrojtur, nuk ka thënë që do të zbulojë identitetin e tyre a diçka tjetër, është fakt i njohur se janë të mbrojtur kanë deklaruar, dhe çkado tjetër që do të thotë prokuroria”, tha ai.