Dy ish-ekspertët e OSHP-së mohojnë që falsifikuan një dokument për përfitim të një tenderi nga një kompani - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dy ish-ekspertët e OSHP-së mohojnë që falsifikuan një dokument për përfitim të një tenderi nga një kompani

    Insajderi
    22 November 2021 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy ish-ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi kanë mohuar akuzën që falsifikuan një dokument me qëllim të përfitimit të një tenderi për importim të produkteve medicinale.

    Bashkë me ta po akuzohet edhe pronari i firmës NTP “Friends”, Armend Selimi, i cili po dyshohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit dhe atë të falsifikimit të dokumenteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ish-eksperti i OSHP-së, Durim Ramadani ka thënë se ka qenë i angazhuar si ekspert i jashtë teknik pranë OSHP-së dhe se detyrë e tij, ka qenë shqyrtimi i pretendimeve ankimore dhe dhënia e mendimit në lidhje me pretendimet ankimore.

    Ai ka thënë se për kompaninë NTP “Friends”, kishte dhënë një mendim në lidhje ankesën e parashtruar nga kjo kompani, por sipas tij, mendimi i tij për këtë rast nuk ka qenë obligativ.

    “Pretendimet ankimore kanë qenë nga operatori ekonomik NTP “Friends”, e kam parë edhe autorizimin i cili nuk ka pasur vulë, por në fletën e të dhënave të tenderit nuk ka qenë kërkesa që autorizimi duhet të jetë i vulosur”, ka thënë i akuzuari.

    Sipas të akuzuarit, pasi kishte dorëzuar raportin e tij në sekretariatin e OSHP-së, nga ai moment nuk kishte pasur asnjë kompetencë, dhe pa autorizim nuk kishte pasur të drejtë as të kyçet në OSHP.

    Akuzën për keqpërdorim detyre e ka mohuar edhe ish-eksperti i OSHP-së Zeqir Fetoshi, i cili ka thënë se detyrë e tij ka qenë shqyrtimi i pretendimeve ankimore të operatorit ekonomik NTP “Friends”, duke u bazuar në nenet 113 dhe 114 të Ligjit për Prokurim Publik.

    Ai tha se pas vlerësimit, në fund të raportit të ekspertizës kishte rekomanduar që aktiviteti në fjalë të kthehet në rivlerësim dhe të kërkohen sqarime shtesë në lidhje me autorizimin, ashtu siç parashihet në nenin 72 të LPP-së.

    Lidhur me arsyet e eliminimit të NTP “Friends” nga tenderi, dëshmitari ka thënë se MSh-ja kishte lëshuar një letër standarde për tenderues të eliminuar në të cilën thuhet “autorizimi nuk është siç duhet”, e që për të akuzuarin kjo fjali kishte qenë e paqartë.

    Ai tha se në kërkesën e dosjes së tenderit nuk ka qenë që autorizimi të ketë vulë, por të jetë i nënshkruar, të ketë email-in, numrin e telefonit dhe asgjë tjetër.

    “Pikërisht ne si ekspertë duke u bazuar në këto kërkesa e kemi shënuar në raport se autorizimi në fjalë i përmban elementet e kërkuara mirëpo ne pavarësisht kësaj, kemi rekomanduar që lënda të kthehet edhe një herë në rivlerësim dhe të kërkohen sqarime nga MSH në lidhje me këtë autorizim, sepse edhe në dosjen e tenderit ka shënuar se këto elemente duhet t’i përmbajë autorizimi me qëllim të mundësisë së verifikimit nga ana e MSH-së”, ka thënë i akuzuari Fetoshi.

    Ai tha se ata si ekspertë kishin lëshuar raportin me konstatimin se autorizimi përmban elementet e kërkuara, por sipas tij, MSh-ja ka qenë e obliguar të konstatojë vlefshmërinë e dokumenteve.

    Në këtë seancë, ka dhënë mbrojtjen edhe pronari i kompanisë NTP “Friends”, Armend Selimi i cili ka thënë se pasi kjo kompani është marrë me shitjen e pajisjeve mjekësore si dhe materialeve hargjuese medicinale, në qershor të vitit 2014, kishte aplikuar në tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), për materiale hargjuese mjekësore.

    Sipas tij, më rastin e këtij tenderi, me artikujt të cilët kishin aplikuar në MSh, prodhuesi “Johnson&Friends”, kishim dalë më të lirë kundrejt prodhuesve tjerë.

    “Ne si e kemi parë që këta kanë qenë më çmim me të lirë, kemi kërkuar dokumentacionin i cili ishte kërkuar në kriteret e tenderit. Pasi autorizimi është kërkuar në kopje origjinale, prodhuesi na ka dërgu edhe autorizimin edhe certifikatat origjinale me postë, mirëpo për shkak të ngutisë dokumenti i autorizimit origjinal ka qenë i nënshkruar por nuk ka pasur vulë”, ka thënë i akuzuari.

    Çështja e mungesës së vulës në autorizim, i akuzuari ka thënë se ka qenë shkaku që ishin eliminuar edhe nga të gjithë ofertuesit, ata sipas tij, kishin qenë me çmimin më të lirë kundrejt ofertuesve tjerë dhe atë në shumën 129,721.20 euro.

    Pas kësaj, i akuzuari tha se kishin paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili kishte vendosur që tenderi të kthehet në rishqyrtim, me rekomandim që të kontaktohet prodhuesi dhe të pyetet për vulë dhe origjinalitetin e autorizimit.

    Në këtë mënyrë, sipas të akuzuarit MSh-ja, sipas rekomandimit të OSHP-së, e kishte kontaktuar prodhuesin “Johnson&Friends”, për ta pyetur për origjinalitetin e autorizimit, të cilët sipas të akuzuarin, përmes email-it e kishin konfirmuar origjinalitetin e tij.

    Në bazë të kësaj, i akuzuari ka thënë se MSh-ja e kishte shpallur si fitues të tenderit kompaninë e tij NTP “Friends”, dhe sipas të akuzuarit menjëherë kishin filluar me lifterimin e artikujve të cilat kishin qenë të certifikuara nga Bashkimi Evropian dhe ishin shitur edhe në Angli, në BE dhe Amerikë.

    “Ne me përgjegjësi të plotë morale dhe juridike deklarojmë që nuk kemi ndërhyrë në to si dhe nuk kemi bërë kurrfarë falsifikimi të dokumentacionit të prodhuesit. Ne kemi pasur zgjedhje sa i përket produkteve dhe prodhuesve, kështu që nëse një prodhues nuk ka certifikime të duhura ne kemi mundur të zgjedhim tjetër prodhues, nuk ka pasur nevojë të ketë ndërhyrje kur ekzistojmë 100 prodhues të produktit të njëjtë”, ka thënë i akuzuari.

    Ai ka thënë se kompania e tij në atë kohë kishin aplikuar me dhjetëra tender dhe se nuk e kishin pas as kohen, as personelin e as dëshirën që të ndërhyjnë në dokumente të prodhuesve, kur të njëjtat i kishin marrë të gatshme nga prodhuesit.

    Me kompaninë “Johnson&Friends”, i akuzuari ka thënë se ishin njohur në një panair në Gjermani në vitin 2009, dhe përderisa e njëjta kishte marrë pjesë në panair, sipas tij, nënkuptohet se ka qenë e regjistruar në Angli.

    “Për mendimin tim krejt ky proces vjen si dëshirë e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo konkurrencës që kompania jonë “Friends”, të jetë jashtë gare për të cilën ia kanë dalë pasi prej 2014-tes nuk kemi konkurruar në asnjë tender”, ka thënë në fund i akuzuari Selimi.

    Seanca e radhës ku pritet të jepet fjala përfundimtare është caktuar për 16 dhjetor 2021.

    Aktakuza e ngritur në prill të vitit 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Armend Selimin se në cilësinë e pronarit të firmës NTP “Friends” në Prishtinë, se nga viti 2013, e deri në korrik të vitit 2014, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka falsifikuar dokumentin më të cilin ka dashur që të fitojë një tender.

    Duke dashur të importojë produkte medicinale dhe të sigurojë autorizime nga ana e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), thuhet se ka falsifikuar certifikatat e dorëzuara në AKPPM.

    Me këtë rast, ai konsiderohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit dhe atë të falsifikimit.

    Ndërsa, Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi akuzohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

    Ata thuhet se në cilësinë e ekspertëve të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk e kanë kryer punën e tyre në përputhje më ligjin, lidhur me tenderin për të cilin Armend Selimi pretendohet se i kishte falsifikuar dokumentet.

    Sipas Prokurorisë, ata kishin keqpërdorur pozitën e tyre lidhur me tenderin për “Furnizim me material shpenzues” nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtit sipas aktakuzës kishin qenë në dijeni se autorizimi i lëshuar nga Korporata- Prodhuesi “Johnson&Friends” në Londër është i falsifikuar dhe se këtë autorizim e kishte përfaqësuar i pandehuri Armend Selimi.

    Në bazë të kësaj, ata thuhet se e kanë ditur se këto dokumente janë të falsifikuara dhe kanë dhënë mendim dhe kanë konstatuar se dosja është origjinale. Në këtë formë, sipas aktakuzës, kompania “Friends” ka arritur ta fitojë tenderin nga Ministria e Shëndetësisë. /BetimipërDrejtësi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark